Vdes nga COVID-19 një nga figurat kryesore të kinemasë aziatike

Vdes nga COVID-19 një nga figurat kryesore të kinemasë aziatike

14:27, 11/12/2020

Regjisori koreano-jugor Kim Ki-duk ka ndërruar jetë në Letoni pas ndërlikimeve në lidhje me Covid-19. 

Ai ishte 59 vjeç. 

Sipas faqes së internetit Delphi.lt, ai kishte mbërritur në Letoni në nëntor për të blerë një shtëpi në vendpushimin bregdetar të Jurmala, por nuk ishte paraqitur për një takim. 

Për disa ditë, shoqëruesit e tij kishin humbur kontaktet. 

Ai konsiderohet si një nga figurat kryesore të kinemasë aziatike dhe është i vetmi regjisor i Koresë së Jugut që fitoi çmim në të tre festivalet e mëdha evropiane të filmit: Kanë, Venecia dhe Berlin.

I lindur më 20 dhjetor 1960 në Bonghwa, në veri të Gyeongsang, Koreja e Jugut, problemet familjare e detyruan atë të linte studimet si i ri dhe të bashkohej me ushtrinë.

 Përvoja ushtarake do të ndikojë shumë në mënyrën e tij të të kuptuarit të marrëdhënieve ndërpersonale, si dhe në veprat e tij kinematografike. 

Por është filmi "Seom - L'isola" (2000) që Kim Ki-duk arriti sukses të madh.

Pas disa provave jashtëzakonisht të errëta dhe të papërpunuara, filmi  "Pranvera, Vera, Vjeshta, Dimri ... dhe Pranvera përsëri" (2003) e shenjtëron atë si regjisor në të gjithë Evropën.

2004 është një vit pjellor dhe i 'puthur' nga suksesi për regjisorin: 

"La samaritana" fiton Ariun e Artë për regjisorin më të mirë në Festivalin e 54-të të Filmit në Berlin, ndërsa "Hekuri 3 - Shtëpia e zbrazët" ,  merr çmimin ''Luan i Argjendtë'' për regjisorin më të mirë në Festivalin e 61-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia (dhe një nominim për David di Donatello për filmin më të mirë të huaj).

Pas një pengese në 2011 ai kthehet me "Arirang" i  cili është frymëzuar nga periudha e gjatë e heshtjes dhe krizës artistike të regjisorit. 

Filmi fiton çmimin e seksionit Un Certain në festivalin e 64-të të filmit në Kanë.

 Kthimi në detyrë, në 2012 "Pietà" i tij fitoi Luanin e Artë në Festivalin e 69-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. 

i drejtpërdrejtë dhe I thjeshtë nga pikëpamja regjisoriale, kinemaja poetike e Kim ki-duk rrit thellësinë e ndjenjave duke përdorur një gjuhë fort shprehëse dhe simbolike.

 "Unë nuk mendoj se filmat e mi janë njëqind për qind realist. Ka shumë gjëra në jetë që ne nuk i kuptojmë, ngjarje mizore që ju shkaktojnë dhimbje: këtyre elementeve unë shtoj imazhe fantastike dhe kështu marr një interpretim tjetër të realitetit" është shprehur gjatë një interviste Kim-Ki-duk.

 Protagonistët e veprave të tij janë të margjinalizuar, të pastrehë, peshkaqenë huazues, vrasës, prostituta, megjithatë njerëz që jetojnë jashtë moralit të përbashkët me një ekzistencë midis degradimit dhe vetmisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco