Koronavirusi 'infekton' rëndë biznesin e dasmave në Kosovë

Koronavirusi 'infekton' rëndë biznesin e dasmave në Kosovë

19:00, 16/11/2020

Pandemia COVID-19 që po vazhdon të jetë prezent në Kosovë, është duke shkaktuar probleme më të mëdha në biznesin e dasmave. Rezervat financiare të zinxhirit të ahengjeve, duke nisur nga hoteleria, këngëtarët, instrumentistët, parukierët dhe grimerët si dhe dizajnerët e veshjeve, po harxhohen dhe ky biznes është në kolaps. Syri Kosova sjell më poshtë një pasqyrim të kësaj fushe, për të parë përballjen e këtyre sektorëve me këtë virus, që po i shkatërron në aspektin monetar

Erdonit Hoxha

Vitin 2020 do ta mbajnë në mend gjithmonë, si një vit i dështuar në karrierë, mirëpo, jo për fajin e tyre. Biznesi i dasmave, si një nga bizneset më fitimprurëse në vend, këtë vit ka shënuar një rënie aq të madhe, për shkak të anulimit të aktiviteteve, si pasojë e COVID-19 dhe lirisht mund të konsiderohet si një fushë e falimentuar.

Këtë gjë për Syri Kosova e ka thënë pronari i hotelit dhe restorantit “Luxor”, Plator Asllani, i cili tregoi humbjet dhe formën e mbijetesës që e kanë bërë këtë vit.

“Në Kosovë hoteleria ka pësuar dëme dikur rreth 600 milionë euro, për shkak të mbylljes, kurse, ne si restorant nuk është se kemi bërë ndonjë matje se sa kanë qenë humbjet, por, situata është shumë keq, jemi dëmtuar tepër shumë” tha Asllani.

Ai gjithashtu tregoi se po detyrohen që të punojnë me minus, pasi, edhe pse nuk kanë punë, po detyrohen që ta paguajnë stafin e mirëmbajtjes.

Sipas Asllanit, shpresa e tij e vetme është që të bëhet mirë, por, edhe nga shteti presin diçka.

“Po presim me u bë mirë, po presim edhe ndihmë prej shtetit. Uroj që me u përmirësu situata edhe me ardh deri te lejimi i organizimeve të tilla” shtoi në fund ai.

Pos hotelerisë, një fitim të madh në dasma e kanë edhe këngëtarët. Për Syri Kosova, këngëtarja Rema Canolli, ka thënë se është dëmtuar tepër shumë nga kjo pandemi, pasi, burimin kryesor të të ardhurave e ka nga dasmat, pasi punë tjetër nuk ka.

“Duke e ditur që dasmat janë burimi kryesor i të ardhurave, normalisht që jemi dëmtuar, pasi 99% e dasmave janë anulu dhe nuk kemi pas mundësi pune gjatë gjithë kësaj sezone.  Unë nuk kam pas fare alternativë tjetër, pasi që nuk punoj tash e sa vite punë tjetër përpos këndimit dhe e keqja është se as nga shteti nuk kanë pasur asnjë lloj ndihme”.

Nëse situata vazhdon kështu, Rema tha se do detyrohet që të gjej një punë tjetër.

Duke qenë se ka pasur pak punë këtë vit, pandemia problem ka qenë edhe për grimerën profesioniste, Çetina Pepshi, nga studio ‘Glam by Çetina’. Ajo për Syri Kosova tha se paratë nuk i kanë mjaftuar as për ta paguar qiranë e lokalit dhe se këtë pagesë ia ka mundësuar familja e saj.

“Është shumë e vërtetë që ne varemi pothuajse plotësisht nga sezoni i verës dhe ky sezon ishte i dështuar për ne. Dëmet janë të konsiderueshme dhe të papërballueshme duke e krahasuar me sezonet e viteve të kaluara. E vërteta është që nuk kemi pas alternativa të ndryshme e aq me pak ndihmë ‘çudibërëse’  nga shteti, ndihmesat që i kemi marrë nga shteti kanë qenë minimale, gjë që nuk na kanë shërbyer pothuajse asgjë. Nëse do varej familja ime nga te ardhurat e biznesit tim gjatë pandemisë, tash  gjendja kish me qenë shumë e keqe” tha Pepshi.

Ajo përmendi faktin se nëse vazhdon gjendja e tillë deri në vitin tjetër, bizneset e vogla do të detyrohen që të mbyllën.

Familjen me muzikë e mban edhe instrumentisti Agon Veseli. Mirëpo, ai për gjendjen e krijuar, pos pandemisë, një pjesë të fajit ia ka lënë edhe shtetit, për mosinteresim të madh rreth kësaj fushe.

“Sikur të gjithë kolegët muzikantë dhe këngëtar/e, ne kemi përjetuar ditë shumë të vështira në kohën e pandemisë, duke pasur parasysh që ne familjet i mbajmë vetëm nga muzika dhe kur ishte koha të bëjnë kontrolle gjatë sezoneve se kush po këndon dhe kush e ka biznesin e regjistruar, shteti ynë dinte të na vizitonte, e tash kur kemi mbetur të gjithë të papunë, as që iu bie ndërmend për neve që kemi biznese të regjistruara na Kosova dhe na anashkaluar nga çdo pako për rimëkëmbje ekonomike” tha Veseli për Syri Kosova.

 Ai tha se kjo që po bën Qeveria Hoti është një padrejtësi shumë e madhe për këtë komunitet, pasi janë lejuar shumë aktivitete, kurse, dasmat jo. Madje, Veseli tha se në dasma mund të aplikohet çdo masë e nevojshme mbrojtëse.

Në këtë zinxhir të këtij biznesi, me dëme janë përballur edhe dizajnerët e rrobave. Për Syri Kosova, dizajneri Arbnor Aliu tha se mbyllja ka ndodhur pikërisht në kohën kur kanë filluar porositë e fustaneve, e veshjeve tjera dhe anulimi i tyre më pas ka qenë një ‘tragjedi’ në vete.

“Sigurisht që dëmi ka qenë shumë i madh, duke pas parasysh që në fillim jemi mbyllur, pikërisht në kohën kur vetëm kanë filluar porositë  e mbrëmjeve  dhe  gjithashtu janë anuluar  porosit për dasma  dhe fejesa” tha Aliu.

Formën e mbijetesës në këtë fushë ai e ka pasur vetëm me porositë e veshjeve që janë marrë për realizimin e fotoseteve.

Si biznesi i dasmave, ashtu edhe të gjithë njerëzit po shpresojnë për ditë të mira dhe për kalimin e kësaj pandemie që po bëhet barrë e rëndë për gjitha fushat, por, edhe për mbajtjen e familjeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco