Prej Adriatik Kelmendit e deri Adelina Ismaili, transferet e pabesueshme në televizionet kosovare

Prej Adriatik Kelmendit e deri Adelina Ismaili, transferet e pabesueshme në televizionet kosovare

12:00, 03/10/2020

Televizioni po vazhdon të jetë mediumi më i pëlqyer për shumë njerëz, përkundër faktit se çdo ditë e më shumë janë rrjetet sociale dhe telefoni në përgjithësi, që po e bën televizorin të qëndrojë më shumë i fikur.

Ndonëse jo me të njëjtën vlerë si para 10 vjetësh, televizioni, sidomos në Kosovë, po del të jetë media më e preferuar për gazetarët, shkruan Syri Kosova.

Të paktën kështu kanë lënë të kuptohen transferet e reja që kanë ndodhur në botën e televizionit kosovar, që nga pandemia e deri më sot.

Tashmë në treg një kanal televiziv është transformuar në emër e staf, kurse, një tjetër i tillë së shpejti do jetë pjesë e platformave shqipe.

Duke qenë se tregu u forcua, kalimet nga një TV në tjetrin shpesh na kanë zënë në befasi e shpesh edhe i kemi pritur.

Në befasi na zuri largimi i Baton Haxhiut nga Klan Kosova dhe në vendin e tij udhëheqës nga KTV erdhi Adriatik Kelmendi, duke e zhvendosur edhe emisionin ‘Rubikon’ me të cilin Kelmendi u bë i njohur.

KTV-së i iku edhe një moderator, fjala është për Xhemail Rexhaj të ‘Interaktiv’ që shkoi në Kanal 10.

Te ky kanal nga Dukagjini erdhën edhe Arben Ahmeti dhe Fidan Rama, bile me rol drejtues.

Mirëpo, Dukagjini nuk mbeti bosh pasi nga Klani mori Artan Telakun, moderatorin Keka dhe bukuroshen Antigona Sejdiu. Kurse, nga Dukagjini në Klan Kosova shkoi Durim Xhema, me një emision mjaft interesant.

Kanal 10 pos gazetarëve që mori, do të transmetojë edhe një emision të përgatitur nga Adelina Ismaili, këngëtarja e njohur. Në këtë drejtim, nuk ka mbetur keq as Klan Kosova. Kjo se, në ekranin e këtij televizioni së shpejti do e shohim fytyrën e pashme të Robert Berishës me emisionin ‘Robi plaket kur do vet’.

Ndërsa, në televizionin T7 lajmet do na i tregojë spikereja Donjeta Gashi e cila dikur ishte zëdhënëse e Qeverisë Haradinaj si dhe moderatore në Klan Kosova. Në këtë TV ka kaluar edhe gazetari i shoubizit Butrint Pasjaqa.

Me moderatorë e më emra të njohur po mbushet edhe televizioni ATV. Ditën në këtë televizion do e nis fytyra e bukur e moderatores Çlirimtare Dukolli, e cila në këtë TV kaloi nga Syri.net Kosova.

Po ashtu, në ATV sipas asaj që po flitet kanë kaluar edhe Adelina Hasani nga TV7, Leart Hoxha i RTV21 dhe Robert Bojaj po nga i njëjti televizion. Qëndrojmë akoma në ATV, aty ku shkoi edhe Kaltrina Hazirin, të cilën e kemi parë në KTV në një emision.

Edhe Ana Rustemi nga KTV ka kaluar në Klan Kosova, aty ku iku edhe Mirjeta Morina në emisionin ‘Familja ime’ pasi Saranda Bujupi-Rama që ishte moderatore e këtij emisioni, doli në televizionin ku punon bashkëshorti i saj, Fidan Rama.

Te televizioni i bashkëshortit shkoi edhe Valentina Ahmetaj, pra, gruaja e Arben Ahmetit që do ketë emision në Kanal10.

Kanali10 e ka edhe emisionin e pasdites që moderohet nga zëri dhe fytyra e ëmbël e Egzona Krasniqit që dikur ishte moderatore në Tribuna Channel.

Lëvizje ka pasur edhe në lëmin e sportit. Bujar Mehmeti nga KTV shkoi në Kanal10 bashkë me Lorik Gashin e Kosovapressit, kurse, Drin Ejupi në ATV.

Moderatori Kushtrim Sadikaj doli nga Klan Kosova, por, se  a do shkojë në Kanal10, presim të shohim.

Me gjithë këto lëvizje, urojmë për emisione të bukura, origjinale e jo shabllon siç jemi mësuar t’i shohim deri më tani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco