VV humb betejën me Devollët, Kuvendi i kapur ia zgjat jetën monopolit milionësh

VV humb betejën me Devollët, Kuvendi i kapur ia zgjat jetën monopolit milionësh

09:26, 13/10/2020 Nga Dardan Gashi

Kosova ka vetëm një qendër për homologimin e veturave(Eurolab) e cila njëherësh e ka edhe monopolin në tregun e Kosovës, që obligon të kontrollohen të gjitha veturat që vijnë nga jashtë, përfshirë këtu edhe veturat me kilometrazh zero.

Secili qytetar apo kompani që blen vetura, detyrohet t’i nënshtrohet homologimit në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), dhe blerësi nuk ka ndonjë ofertë në treg për të përzgjedhur çmimin e këtij shërbimi.

Nga viti 2012, ku çmimi për homologimin e një veture ishte 125Euro, ngjashëm vazhdon të jetë edhe në 2020, ndërsa vlera e inkasimeve nga kjo kompani kap shifrën e miliona eurove.

Për parandalimin e monopolit në vend, u fol shumë, por, u veprua pak nga institucionet shtetërore.

8 vite pas, një iniciativë e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, për t’i dhënë fund pasurimit milionësh të kompanisë e cila është pronë e familjarëve të Devollëve, nuk po merr përkrahjen e partive tjera.

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, i cili ka propozuar ndryshimin e Ligjit për Automjete, ka thënë se ata që votojnë kundër heqjes së homologimit, janë pro monopolit të Devollëve.

Murati deklaroi se me votimin e ndryshimit të Ligjit për Automjete do të fillonte çkapja e shtetit.

LDK e PDK, në seancën e djeshme të Kuvendit, kanë thënë se janë kundër ndryshimit të Ligjit për Automjete që do të nënkuptonte heqjen e homologimit për vetura.

Për LDK-në, foli shefi i grupit parlamentar, i cili tha se  projektligji i propozuar nga LVV ka hapësirë për interpretime, ndërsa ka shtuar se duhet të rishikohet në tërësi. Deri atëherë, ka theksuar se ky projektligj nuk votohet nga deputetët e LDK-së.

Ndërsa, Bajrush Xhemaili, deputet i PDK’së, ka thënë se janë kundër ndryshimit të Ligjit për Automjete që do të nënkuptonte heqjen e homologimit për vetura.

Sipas PDK-së, ky ligj i propozuar nga PDK-ja është i varfër e se me votimin e tij nuk do të hiqet monopoli.

Nga 41 deputetë sa morën pjesë në votim, pro këtij projektligji kanë votuar 30 deputetë, 10 kanë qenë kundër, ndërsa një ka abstenuar.

Kësisoj, ky projektligj do të hidhet në votim në një seancë tjetër në ditët në vijim.

Analisti Xhevdet Pozhari, për Syri.net Kosova, thotë se dështimi i votimit në parim i projektligjit për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Automjete, që kishte marrë miratimin në Komision Parlamentar, shpërfaq faktin se ne nuk kemi parti të mirëfillta që punojnë në interes të xhepit të qytetarëve.

Sipas tij, mospërkrahja e këtij projektligji nga ana e PDK-së dhe LDK-së, është veç një argument se shkronja “D” në shkurtesën e tyre, më shumë se sa “demokracinë” i përfaqëson interesat e bizneseve, si ato të “Devollit”.

26 milionë euro qytetarët e Kosovës i kanë paguar në 10 vitet për homologimin e veturave. Të gjitha këto para kanë shkuar në llogari të kompanisë e cila menaxhon me Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), në pronësi të Blerim Devollit, i cili mbanë monopolin e homologimit të automjeteve në tregun e Kosovës.  Kur dihet se secili qytetarë që ka importuar veturë nga ndonjë vend tjetër në Kosovë, është dashur të paguaj hiq më pak se 125 euro në emër të homologimit, proces ky i vlerësuar si i pa nevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Pozhari, vlerëson se vendimi i këtyre partive për të mos përkahur ndërprerjen e homologimit, tregon se ne kemi parti të biznes-interesave, të cilat pushtetin e konsiderojnë si mjet për të mbrojtur rrjetin e bizneseve të oligarkëve.

Ndërsa, profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për Syri.net Kosova, thotë se për situatën e krijuar me homologimin, nuk duhet fajësuar biznesin, por, organet relevante qe kanë lejuar me vetëdije që të demtojnë konkurencën e lire, duke i dhënë liçencë vetëm një biznesi.

“Kosova që nga pas lufta përkunder trumbetimit për ekonomi të tregut, koha tregoi që politika në vend ekonominë e tregut dhe konkurencën e lire, e ka shfrytëzuar si një ideoogji të ekonomise liberale, por, në praktikë nuk i ka dhënë vendin e merituar konkurencës së lire, mund të kujtojmë që edhe pse kishte privatizim të ish-ndermarrjeve shoqërore, prapë mbetën monopole, mund të kujtojmë edhe aeroportin e energjjnë elektrike.

Kadriaj, shton se përveç monopoleve të cilat janë në kundërshtim me ekonominë e tregut, krahas monopleve kemi edhe oligopolet të cilat edhe më shumë kanë dëmtuar konkurencën e lirë.

 Mund të kujtojmë kompanitë e derivateve dhe qendrat tregtare. Pra e e keqja nuk përfundon por vazhdon me bizneset si homolugimi dhe zhdoganimi i produkteve duke u menaxhuar nga i njejti pronar.

Tutje, ai thekson se çdo iniciativë duhet vlerësuar, por, koha tregoi që nuk ka gatishmëri të subjekteve politike, sepse, pista e dyshimit të orienton që mbrapa këtyre bizneseve qëndron politika ditore ose kjo e fundit qëndron fal suportimit të këtyre bizneseve dhe si rezultat po dëmtohet ekonomia e lirë e cila është motoja e demokracisë.

Ndryshe, kundër monopolit të homologimit i cili brenda 8 viteve ia pasuroi xhepat "Devollëve" pa pasur asnjë konkurent në treg, kishte dalur edhe Autoriteti Kosovar i Konkurencës në vazhdimësi, duke i dërguar rekomandime Ministrisë së Infrastukturës që ta bëjë ndryshimin e dispozitave që kanë të bëjnë me homologimin

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco