Kosovës i rrezikohen plot 322 mijë euro

Kosovës i rrezikohen plot 322 mijë euro

08:55, 10/10/2020

Së paku 322 mijë euro të buxhetit të shtetit janë vënë në rrezik pas devijimit të jashtëligjshëm të një pjese të rrugës Prishtinë-Podujevë, që dyshohet të jetë bërë për qëllim të një objekti në pronësi private, e i cili nuk posedon leje ndërtimi.

Ministria e Infrastrukturës e edhe Komuna e Podujevës, të dyja që qeverisen nga Lidhja Demokratike (LDK) në pushtet, kanë bërë përpjekje ta mbajnë fshehtë këtë abuzim, shkruan KOHA.

Traseja e anës së djathtë, në hyrje të Podujevës, do të duhej të çonte drejt e mbi urën, poshtë së cilës kalon lumi Llap. Por devijimi nga projekti imponon që ose të prishet rruga tashmë e asfaltuar, ose të rrënohet ura e të ngrihet një e re. Vetëm ura e re, sipas përllogaritjeve të bëra, do të kushtojë 322 mijë euro, pa llogaritur edhe koston e shpenzimeve për shembjen e së vjetrës.

Ndërkaq edhe kthimi në projektin bazë do të nënkuptonte kosto shtesë, meqë punë përtej asaj të kontraktuar llogaritet edhe prishja e rrugës së shtruar në pjesën e devijuar, e edhe shtrimi i asfaltit të ri, konform asaj që parashihte projekti.

Një raport i hartuar nga dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës – Hysen Merovci, udhëheqës i Divizionit të projekteve, dhe Ardian Begaj, zyrtar i lartë i projekteve për rrugë – hedh dyshime se ndryshimi i trasesë është bërë jashtëligjshëm.

“Me rastin e devijimit është e pamundur të ndërtohet vetëm një urë ashtu siç është paraparë me projektin kryesor, mirëpo duhet të ndërtohen dy ura (pra të rrëzohet ura ekzistuese), e cila me projektin kryesor është paraparë vetëm të rehabilitohet pjesërisht”, thuhet në raport. “Kostoja e përafërt e ndërtimit të një ure në njërin nga drejtimet e lëvizjes është: 322,000.00 euro, ndërsa kostoja nëse ndërtohen dy urat në dy drejtimet e lëvizjes do të ishte: 2×322,000.00 = 644,000.00 euro”.

Aty tregohet se urdhrin për devijimin e rrugës në fjalë e ka dhënë Gjynejt Mustafa, i cili në atë kohë ka qenë menaxher i kontratës për ndërtimin e kësaj rruge dhe theksohet se me këtë rast ai i ka tejkaluar kompetencat e veta.

Veç kësaj, është theksuar fakti se në po këtë pjesë që është devijuar ndodhet në ndërtim një objekt për të cilin zyrtarët e Komunës së Podujevës kanë thënë të mos jetë i pajisur me leje të ndërtimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco