Vit tronditës për Kosovën, 'thërrimet' e qeverisë Hoti nuk e ndalin rënien ekonomike 9 për qind

Vit tronditës për Kosovën, 'thërrimet' e qeverisë Hoti nuk e ndalin rënien ekonomike 9 për qind

09:22, 08/10/2020 Nga Dardan Gashi

Ekonomia e Kosovës gjatë këtij viti pritet të tkurret për 8.8 përqind.

Kështu thuhet në raportin e publikuar të mërkurën nga Banka Botërore për ekonominë në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore.

Rimëkëmbja pritet të jetë më e ngadalshme sesa është parashikuar më herët, meqenëse pandemia po zgjat më shumë se sa pritej, duke penguar kështu rritjen ekonomike në vitin 2021.

E rimëkëmbja ekonomike edhe pse u proklamua aq shumë nga Qeveria Hoti, po shkon me 'hapa të breshkës’.

Kjo pasi, ishte kryeministri Avdullah Hoti, ai i cili në qershor të këtij viti, me të marrë pozitën e kryeministrit premtoi mbi 1 miliardë euro ‘infuzion’ për ekonominë kosovare.

Por, katër muaj më pas, ekonomia kosovare e goditur rëndë shkaku i pandemisë së koronavirusit, nga qeveria e Kosovës në mënyrë direkte nuk ka marrë as 10 përqindshin e premtimeve fillestare.

Qeveria e Kosovës, të vetmën ndihmë për rimëkëmbjen ekonomike e ndau para pak ditësh.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar u ndanë 87 milionë euro nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike për subvencionimin e pagave, ndihmat sociale, subvencione në bujqësi, mbështetjen e ndërmarrjeve publike, sportit, rinisë, Zyrën për Komunitete në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Agjencisë për Barazi Gjinore.

Ish zv.ministri në MEPTINIS, njëherësh edhe njohës i ekonomisë, Edison Jakurti, për Syri.net Kosova thotë se ky do të jetë viti më i vështirë për ekonominë e Kosovës.

Duke qenë se kemi të bëjmë me projeksione që burojnë nga analiza ex ante, saktësia e normës së rritjes ekonomike për këtë vit është e diskutueshme. Por, ndonëse nuk mund ta dimë me saktësi këtë normë, mund ta dimë se, që nga paslufta, ky do të jetë viti më i vështirë për ekonominë e Kosovës

Jakurti, duke komentuar raportin e BB-së, thekson se ai tani është më pesimist në krahasim me atë të projektuar në fillim të pandemisë.

Ai shton se deri te ky korigjim, ndikoi edhe mënyra se si Qeveria Hoti e ka “menaxhuar” krizën ekonomike

“Sa i përket projeksionit aktual të Bankës Botërore (BB), vërehet se ai është më pesimist sesa norma që kishte projektuar në fillim të pandemisë. Atëherë BB parashihte një rënie reale ekonomike prej 4.5%, ndërsa tani e ka korrigjuar projeksionin për një rënie reale ekonomike prej 8.8%. Natyrisht se në këtë korrigjim të projeksionit që ajo ka bërëreflektohet edhe mënyra se si Qeveria Hoti e ka “menaxhuar” krizën ekonomike”

Jakurti ka kritikuar qeverinë, se përkundër premtimeve për futjen e mbi 1 miliard eurove në ekonomi, e njëjta ka dështuar, duke dhënë vetëm 87 milionë euro, katër muaj pas marrjes së pushtetit.

Ish-zv.ministri shton se duke e pare situatën e krijuar, ku ka vonesa në ‘injektimin’ e ekonomisë nga qeveria, moskalimin e projektligjit për rimëkëmbje, e vetmja zgjidhje mbeten zgjedhjet, që do të shkurtonin kohën që nevojitet për rimëkëmbje.

“Tashmë kanë kaluar 4 muaj që prej krijimit të kësaj Qeverie dhe tek tani ajo i ka ndarë vetëm 87 milionë euro për rimëkëmbje, e të cilat nuk janë ekzekutuar ende. Kjo përkundër premtimeve që kishte bërë Hoti në fjalimin inaugurues se do t’i fusin në ekonomi së paku 1.2 miliard euro. Ndërkohë ka patur 5 tentime për ta kaluar atë që e quan Projektligj për Rimëkëmbje Ekonomike dhe ka dështuar.Nëse e marrim parasysh këtë vonesë 4 mujore, shumën krejtësisht të pamjaftueshme që është ndarë, dhe dështimet për kalimin e projektligjit, i cili ka një sërë të metash, e kuptojmë se sa më parë që kemi zgjedhje, aq më shpejt mund të shpresojmë për një Qeveri të re, e cila njëmend do ta shkurtojë kohën që nevojitet për rimëkëmbje”

Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa për Syri.net Kosova vlerëson se paralajmërimi i Bankës Botërore do të jetë një goditje e madhe për ekonominë kosovare.

Kjo pasi, sipas tij, paralajmërimi i BB-së, alarmon se do të ketë 9 përqind prodhim, tregti, shërbime, konsum, investime më pak, gjë kjo që i ka tejkaluar edhe parashikimet e ekzekutivit të vendit.

Bellaqa thekson se në këtë situatë duhet një intervenim direkt nga deputetët e Kuvendit, duke votuar Ligjin për Rimëkembje Ekonomike, urgjentisht.

Sipas të dhënave burimore zyrtare në ketë vit ka pasur diku rrethë 300 milionë më pak të hyra në arkën e shtetit në vitin 2020, në këtë situatë deputetë e Kuvendit të Kosovës duhet që ta miratonin Ligjin për Rimëkembje Ekonomike urgjentisht, në mënyrë që ti mbeshtesë politikat sociale apo kategoritë e rrezikuara si p. sh,  kategoritë e papunësuara, skemat sociale, kategoritë e konsumit që janë të rrezikuar, si dhe shteti duhet ti mbeshtetë gjithashtu bizneset duke ju ofruar lehtësira fiskale, pastaj duke ju përmirsuar ambientin e të bërit biznes, në mënyrë që të rritej aktiviteti ekonomik, pastaj të bëhej strukturimi i ekonomisë rritja e investimeve në ekonomi, sidomos në teknologji të larta, në mënyre që të rritej prodhimi, shërbimet, tregtia, investimet, konsumi, si dhe vlera e re e krijuar e të mirave ekonomike, ku do te hapej ekonomia në të gjitha sektorët.

 

Nga fillimi i pandemisë e deri më tani humbjet e bizneseve në vend janë 1 miliard euro

Kështu u tha ditë më parë në konferencën e përbashkët të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Loja me vlerat milionëshe për rimëkëmbje ekonomike, për fat të mirë nuk e ndali intervenimin e Diasporës kosovare, e cila edhe pse e prekur direkt nga pandemia, me anë të remitencave, ka arritur që edhe njëherë të iu dal krahë qytetarëve dhe bizneseve kosovare.

Sipas të dhënave të publikuara nga BQK, në periudhën Janar-Korrik 2020, nga Diaspora kanë hyrë në Kosovë përmes sistemit bankar, 526 milionë Euro ose 47 milionë Euro më shumë se sa gjatë vitit 2019.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco