Skandali, Kosova paguan kot mbi 22 milionë euro

Skandali, Kosova paguan kot mbi 22 milionë euro

09:25, 02/10/2020 Nga Dardan Gashi

Ani se Kosova tash e disa muaj po përballet me krizë ekonomike shkaku i situatës së krijuar me pandeminë e koronavirusit, shteti duket se do vazhdojë të jap para, por, jo për të shpëtuar bizneset kosovare.

Vonesat e shkaktuara si rezultat i mosnisjes së punimeve për projekte të caktuara, po i kushtojnë shumë shtrenjtë Qeverisë së Kosovës, në vazhdimësi viteve të fundit .

Kjo pasi shuma e kredive të ratifikuara, por, që nuk janë tërhequr gjatë vitit 2019 është rritur në mbi 475 milionë nga 393 milionë sa ishte në vitin 2018.

E nga kjo shumë, Qeveria vitin e fundit është obliguar të paguajë për shpenzimet e interesit për shfrytëzimin e mjeteve të këtyre kredive hiç më pak se 22.7 milionë ndaj bankave.

Këtë e konfirmon edhe Raporti Vjetor i Zyrës së Auditorit në vend.

“Shuma e kredive të ratifikuara, por që nuk janë tërhequr gjatë vitit 2019 është rritur në mbi 475 milionë, nga 393 milionë sa ishte në vitin 2018. Kjo, për shkak të vonesave në fillimin dhe realizimin e projekteve për të cilat janë ratifikuar këto shuma të kredive, por edhe për shkak të huazimeve të reja, ndërkohë që shuma të konsiderueshme të shpenzimeve për tarifa të zotimeve dhe tarifave tjera janë paguar brenda kësaj periudhe (740,000€). Nga kjo shumë, 410,000€ janë tarifa të paguara për projektet që kanë ngecje në zbatim, ndërsa shpenzimet e interesit për shfrytëzimin e mjeteve të këtyre kredive ishin 22.7 milionë” thuhet në raport.

Syri.net Kosova, i është drejtuar me pyetje Bankës Qendrore në Kosovë për të marrë vesh se për cilat projekte bëhet fjalë, mirëpo, e njëjta ka njoftuar se për informacione duhet drejtuar tek Ministria e Financave.

Syri.net Kosova që nga dita e djeshme ka provuar të marrë informacione nga Ministria e Financave se për cilat projekte bëhet fjalë, por, e kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Deputeti i VV’së, Eman Rrahmani për Syri.net Kosova, thotë se kjo kamatë që po i faturohet Qeverisë, vjen si pasojë e  mosplanifikimit të mirë dhe ngutia për të përfituar elektorat.

Tutje, sipas tij shkaktar është edhe padituria e qeverive.

“Shkaku i mos planifikimit të mirë dhe  ngutia për të përfituar elektorat  kemi arritur në situatën ku në vitin 2019 janë paguar interes për kredi të pa shfrytëzuara 22.7 milion euro” ka thënë Rrahmani.

Sipas tij, pasojat nga veprime të tilla janë shumë të mëdha dhe 50% e buxhetit të Republikës së Kosovës po keqmenaxhohet dhe keqpërdoret.

“Të paguhet vetëm për një vit 22.7 milion euro interes, pa e shfrytëzuar edhe një euro të kredive, është shqetësuese. Për fat të keq kjo është vetëm një nga qindra veprime të tilla. Nëse i shihni raportet e auditimit të institucioneve publike lirisht mund të thuhet se 50% e buxhetit të Republikës së Kosovës keqmenaxhohet dhe keqpërdoret. Zgjedhja është planifikimi i mirë, nuk duhet të mirren kredi për projekte të cilat janë të pa zbatuara. Kur në institucione dërgojm njerëz profesionistë dhe kërkojë llogari prej tyre, atëherë nuk do të kemi situata të tilla të dëmtimit të buxhetit” ka thënë Rrahmani.

Ekonomistët për Syri.net Kosova, thonë se ngarkesat nga kamata janë barrë për buxhetin, ndërsa, tek kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së kapaciteteve për të ekzistuar projektet.

E financiari Florin Aliu, për Syri.net Kosova thotë se duhet që sa më shpejt të ekzekutohen kreditë e ratifikuara.

Kto statistika tregojnë që qeveritë viteve të fundit nuk po kanë kapacitete për të egzekutuar projektet e saja, përkundër asaj që deklarohet se ka përmirsmin në administrate”

Sipas tij, në këtë kohë të krizës duhet që sa më shpejt të ekzekutohen kreditë e ratifikuara, për shkak që pagesat e interesit janë një barrë e rëndë për buxhetin.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj vlerëson se çështja e projekteve të ratifikuara, por, të pa realizuara është ndër abuzimet e keqqeverisjes në vend.

“Vlerësoi që kjo është ndër abuzimiet e keqeverisjes në vend duke rënduar buxhetin e me kamata derisa nuk janë realizuar projektet por duke bërë pagesa të pa arsyetuara nga aspekti ekonomomik por të obliguar nga aspekti juridik për faktin që kan firmosur kontratat për kredi.

Sipas tij, kjo praktikë e të qeverisurit e që nuk ka të ndalur duke hyrë në obligime, do të duhej të ishte një alarm për qytetarin për faktin që taksat dhe tatimet e tyre humbin kot.

Pasojat sipas Kadriajt, janë evidente në të ardhmen për faktin që po ngarkohen gjeneratat e ardhshme pa u realaizuar projektet.

 Kjo do ketë efekt makroekonomik për vendin sepse nuk do mund të hyjmë në marrëveshje të  reja derisa nuk maturohen kredit aktuale.

Ndryshe, në fund të vitit 2019 niveli i borxhit publik ishte 17.46% e Bruto Produktit Vendor (7,123 milionë). Rritja e borxhit të përgjithshëm gjatë vitit 2019 (përfshirë edhe garancionet) ishte 108 milionë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco