Familjes izraelite i anulohet rezervimi i shtëpisë në Itali

Familjes izraelite i anulohet rezervimi i shtëpisë në Itali

10:57, 08/07/2024

"Mund të qëndroni te furrat me gaz!" Kjo është fraza që një familje izraelite gjeti të shkruar, në hebraisht, në përgjigje të rezervimit që kishin bërë për një apartament në San Vito di Cadore nëpërmjet një portali të njohur. Familja, e cila jeton në një qytet jo larg Tel Avivit, po planifikonte të kalonte pushimet në Itali, por pronari i banesës shkroi komentin antisemitik dhe e anuloi rezervimin. Airbnb sakaq korrigjoi në platformën zyrtare duke shkruar: "Ishte një gabim nga ana e pronarit".

Familja, e cila ka dashur të mbetet anonime, i ka shkruar pronarit të shtëpisë: “Ne jemi një familje 5-anëtarëshe dhe do të ishim të lumtur të rrinim në banesën tuaj”. Por përgjigjja ishte fraza antisemitike dhe anulimi i rezervimit. Një frazë e cila nënkupton qartë një metodë të përdorur nga nazistët për të shfarosur hebrenjtë.

“Çështja është e pabesueshme, prej shumë vitesh nuk kam dëgjuar kurrë një person nga qyteti të thotë fraza të këtij lloji”, thotë kryetari i bashkisë së San Vito di Cadore, Franco De Bon. 

Airbnb e pezulloi nga platforma pronarin e shtëpisë pas një hetimi të brendshëm, duke shpjeguar se në realitet ai mesazh nuk ishte i destinuar për ta, por për një mysafir tjetër që qëndronte në pronë dhe që kërkonte informacione se si të përdorte një pajisje.

“Në momentin që i ftuari i dërgoi mesazh pritësit për të kërkuar një rezervim në pronën e tyre, pritësi në fakt po zhvillonte një bisedë me një mysafir tjetër që qëndronte në shtëpinë e tyre në lidhje me përdorimin e gazit të sobës në objekt. Pavarësisht nga rrethanat, ne e kuptojmë se kjo ishte një përvojë thellësisht e pakëndshme për të ftuarin që mori mesazhin dhe ne kemi qenë në kontakt me ta për të ofruar mbështetjen tonë. Ne nuk tolerojmë diskriminim, i marrim seriozisht raportet dhe vazhdojmë ta zbatojmë me rigorozitet këtë politikë", shpjegon Airbnb në një deklaratë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco