Gjermania dhe Franca thonë se Ukraina duhet lejuar t'i godasë objektivat ushtarake brenda Rusisë

Gjermania dhe Franca thonë se Ukraina duhet lejuar t'i godasë objektivat ushtarake brenda Rusisë

08:37, 29/05/2024

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Gjermania nuk do t’i ndalojë sulmet ukrainase ndaj objektivave ushtarake ruse, duke thënë se Ukrainës "i lejohet të mbrohet".

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron treguan mbështetjen e tyre të përbashkët për Ukrainën gjatë një këshilli franko-gjerman të mbrojtjes dhe sigurisë në Meseberg të martën.

Ndërsa kancelari Scholz më parë kishte qenë i vendosur që Ukraina të mos përdorte armë perëndimore për të goditur objektivat ruse, ai bëri një hap në drejtim të Macron, në ditën e tretë dhe të fundit të vizitës historike shtetërore të presidentit francez në Gjermani.

Të dy udhëheqësit i lanë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe bënë kompromis për temën përçarëse të mbrojtjes së BE-së.

Kancelari gjermane ishte gjithashtu më i hapur për sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke thënë se Kievit duhet të lejohet të godasë objektet ushtarake brenda Rusisë, por jo objektiva të tjera – një pikë kthese për Berlinin pasi kancelari kishte hezituar ta linte Ukrainën të godiste përtej kufirit nga frika se mund të çojë në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë e armatosur me armë bërthamore.

"Ukraina ka çdo mundësi për ta bërë këtë, sipas ligjit ndërkombëtar," tha Scholz. “Duhet thënë qartë, nëse Ukraina sulmohet, ajo mund të mbrohet”.

“Më duket e çuditshme kur disa njerëz argumentojnë se nuk duhet lejuar të mbrohet dhe të marrë masa që janë të përshtatshme për këtë”, shtoi ai.

Megjithatë, Gjermania ende refuzon të dorëzojë raketa me rreze të gjatë (më shumë se 500 km) në Ukrainë, ndryshe nga Parisi dhe Uashingtoni DC.

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi për "pasoja serioze" nëse vendet perëndimore lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre për të goditur objektivat në Rusi..

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco