Polonia dislokon mbi 1 mijë trupa të tjera drejt kufirit me Bjellorusinë

Polonia dislokon mbi 1 mijë trupa të tjera drejt kufirit me Bjellorusinë

15:11, 09/07/2023

Polonia ka filluar të dislokojë më shumë se 1 mijë ushtarë shtesë e 200 automjete ushtarake drejt kufirit lindor me Bjellorusinë. Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak njoftoi masën e quajtur “Operacioni Podlachia”.

Polonia synon të demonstrojë se është e përgatitur të reagojë ndaj çdo përpjekjeje destabilizimi përgjatë kufirit.

Rajoni Podlaskie i Polonisë shënon kufirin midis anëtarit të NATO-s dhe Bjellorusisë, një ish-republikë sovjetike që është e lidhur ngushtë me Rusinë. Tensionet përgjatë kufirit me Bjellorusinë janë rritur që kur Rusia nisi pushtimin ushtarak në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar.

Kohët e fundit, Rusia njoftoi planet për të vendosur armë bërthamore në Bjellorusi dhe lideri i vendit, presidenti autokratik, Aleksander Lukashenko, tha se vendi mund të presë mijëra mercenarë Wagner. Madje, i ofroi strehim liderit të grupit Prigozhin, pasi më 24 qershor, ky i fundit u përfshi në një rebelim të armatosur në Rusi. Pasi mori kontrollin e një qyteti jugor të Rusisë, nisi një marshim drejt Moskës, por e ndërpreu vetëm 200 km larg kryeqytetit rus. Ai akuzoi komandën ushtarake ruse se po dështon me strategjinë e luftës në Ukrainë, ku trupat Wagner luajtën rol kyç.

Armiku i betuar i Wagner-it është ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, funksionar i vjetër i Kremlinit, i cili mori mbështetjen e Putinit për të shkrirë në ushtrinë e rregullt të Rusisë grupet mercenare, përfshirë Wagner-in. Dukej se kjo ishte pika që derdhi gotën dhe acaroi Prigozhinin deri aty sa ndërmori aktin e tradhtisë, siç e quajti shefi i Kremlinit, duke ekspozuar dhe dobësitë e pushtetit të këtij të fundit.

Krerët e aleatëve të NATO-s, Lituanisë, Polonisë e Letonisë, kohët e fundit po shprehin shqetësimet e tyre për zhvillimet në Bjellorusi e këtë e bënë dhe në një letër të përbashkët drejtuar pjesës tjetër të Aleancës, që më 11 e 12 korrik zhvillon një samit në Lituani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco