Sanchez: Qeveria spanjolle do të falë separatistët katalanas

Sanchez: Qeveria spanjolle do të falë separatistët katalanas

20:20, 21/06/2021

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez konfirmoi në Barcelonë se qeveria e tij do të falë nëntë politikanë dhe aktivistë Katalanas, të burgosur për rolin e tyre në përpjekjen e shkëputjes së këtij rajoni në 2017.

Sot, Sanchez mbajti një fjalim në kryeqytetin e Katalonjës, "Ribashkimi: një projekt për të ardhmen e të gjithë Spanjës", gjatë të cilit ai paraqiti një "hartë rrugore" për të ardhmen e atij rajoni në Spanjën Verilindore, para disa qindra përfaqësues të sektorit civil.

Ai deklaroi se qeveria do të miratojë një vendim mbi faljen e separatistëve katalanas nesër.

Dymbëdhjetë udhëheqës separatist katalanas u dënuan për rebelim dhe akte të tjera kundër rendit kushtetues, nëntë prej të cilëve morën disa vjet burg për organizimin e një referendumi të ndaluar mbi pavarësinë e Katalonjës dhe shpalljen e shkëputjes në tetor 2017.

Shumica e katalanasve që janë në favor të qëndrimit në Spanjë bojkotuan referendumin, të shënuar nga veprime të vrazhda të policisë që synojnë parandalimin e tij.

Askush nga mbështetësit e njohur të pavarësisë së Katalonjës nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme në Barcelonë dhe grupet kryesore separatiste katalanase protestuan para shtëpisë së operës, ku foli Sanchez.

Fjalimi i Sanchez u ndërpre nga një aktivist i cili bëri thirrje për amnisti për separatistët e dënuar në vend të faljes. Dallimi është se falja ul dënimin e të dënuarve, ndërsa amnistia konsiderohet rrëfim se krimi nuk është kryer.

Sanchez nuk deklaroi nëse faljet do të zbatoheshin për të gjitha ose për një pjesë të dënimeve prej nëntë deri në 13 vjet, ndaj të cilave u dënuan separatistët. Pasi Qeveria të miratojë vendimet e faljes nesër, Mbreti Felipe VI duhet t'i nënshkruajë ato, dhe pastaj Gjykata e Lartë do të lëshojë gjykime individuale për secilin nga personat e falur.

Vendimi i qeverisë për faljen e separatistëve katalanas, të cilin Sanchez njoftoi më herët, provokoi reagime mjaft të dhunshme në skenën politike spanjolle.

Faljet u mbështetën në Spanjë nga Kisha e fuqishme Katolike Romake dhe shoqatat kryesore të biznesit, por kundërshtohen nga Gjykata e Lartë, si dhe më shumë se 60 përqind e qytetarëve të anketuar, duke përfshirë gjysmën e votuesve të Sanchez në zgjedhjet e mëparshme parlamentare.

Mijëra njerëz u mblodhën në një protestë të fundit në Madrid mbi njoftimin e faljes, të mbështetur nga tre parti të opozitës, duke kërkuar dorëheqjen e Sanchez.

Lideri i Partisë Popullore të opozitës Pablo Cassado akuzoi sot Sanchez për bindjen ndaj presionit separatist për të siguruar mbështetjen e ligjvënësve katalanas në parlamentin spanjoll, dhe kështu të mbetet në pushtet.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco