Arkivat amerikane zgjidhin misterin e eshtrave të kriminelit të luftës, që mbështeti sulmin në Pearl Harbor

Arkivat amerikane zgjidhin misterin e eshtrave të kriminelit të luftës, që mbështeti sulmin në Pearl Harbor

14:10, 14/06/2021

Deri kohët e fundit, vendndodhja e eshtrave të kryeministrit japonez të kohës së luftës të ekzekutuar, Hideki Tojo, ishte një nga misteret më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore në kombin që ai drejtoi dikur. Tani, një profesor universiteti japonez ka zbuluar dokumente të deklasifikuara ushtarake amerikane që duket se kanë përgjigjen.

Dokumentet tregojnë se hiri i djegur i Tojo, një nga organizatorët e sulmit në Pearl Harbor, ishte shpërndarë nga një aeroplan i ushtrisë amerikane mbi Oqeanin Paqësor rreth 30 milje në lindje të Yokohama, qyteti i dytë më i madh i Japonisë, në jug të Tokios.

Ishte një mision i mbushur me tension, tepër sekret, me zyrtarë amerikanë që me sa duket ndërmorën hapa ekstremë për të mbajtur eshtrat e Tojos dhe ata të gjashtë të tjerëve të ekzekutuar me të, larg ultra-nacionalistëve që kërkonin t’i glorifikonin si martirë. Të shtatë u varën për krime lufte pak para Krishtlindjeve në 1948, tre vjet pas humbjes së Japonisë.

Zbulimi sjell mbyllje të pjesshme të një kapitulli të dhimbshëm të historisë japoneze që trondit ende sot, ndërsa politikanët konservatorë japonezë përpiqen të zbardhin historinë, duke çuar në fërkime me viktimat e luftës, veçanërisht Kinën dhe Korenë e Jugut.

Pas viteve të kaluara duke verifikuar dhe kontrolluar detajet dhe vlerësuar rëndësinë e asaj që ai kishte gjetur, Profesori i Universitetit Nihon, Hiroaki Takazawa i bëri publike të dhënat për vendndodhjen e mbetjeve javën e kaluar.

 Ai u ndesh me dokumentet e deklasifikuara në 2018 në Arkivat Kombëtare të SHBA në Uashington. Besohet të jetë hera e parë që dokumentet zyrtare që tregojnë trajtimin e eshtrave të shtatë kriminelëve të luftës u bënë publike, sipas Institutit Kombëtar të Studimeve të Mbrojtjes të Japonisë dhe Qendrës Japoneze të Regjistrimeve Historike Aziatike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco