Zgjedhjet lokale maqedonase. BDI paralajmëron supriza

Zgjedhjet lokale maqedonase. BDI paralajmëron supriza

14:44, 07/06/2021

Shkup – Partitë politike shqiptare janë në fushatë brendapartiake për të përcaktuar emrat me të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale të tetorit, megjithatë aktualisht janë disa emra të sigurt dhe të konfirmuar, dhe disa që me shumë gjasë nuk do të mund të kontestohen, njofton Zhurnal.mk.

Ndërsa BDI ka filluar fushatën jozyrtarisht me PR strategjinë e fotografisë së gjelbër me tri pika, opozita shqiptare do të dalë në opinion me ofertën për të garuar me njerëz të suksesshëm në diasporë të cilët do të sjellin në vendlindje përvojat më të mira.

Të konfirmuar janë kreu i partisë Besa, Bilall Kasami që tashmë ka thënë zyrtarisht se do të garojë për ulësen e kryetarit të Tetovës si dhe Erkan Arifi i cili do të kërkojë një mandat të dytë në Likovë, gjë të cilën e konfirmoi vet kreu i BDI-së Ali Ahmeti gjatë qëndrimit të tij në këtë komunë të mërkurën , ku tha se më 5 qershor do të shpalosin njw surprizë e madhe.

Burime partiake tashmë kanë filluar të informojnë mediat lidhur me zhvillimet brenda tyre, kështu nga BDI-së thonë se me shumë gjasë të gjithë kryetarët aktualë të komunave do të kërkojnë një madat tjetër, por mbetet enigma nëse Visar Ganiu është kandidati i Çairit, pasi një emër shumë i përfulur për këtë  komunë është edhe Ardian Muça, aktualisht drejtor i ndërmarrjes Publike, Parqe dhe Gjelbërim.

Konflikti tashmë i hapur që madje ka pushtuar edhe mediat,  mes deputetit Izet Mexhiti dhe zv/kryeministrit Artan Grubi, me shumë gjasë do të përcaktojë kandidatin, pasi njohësit e zhvillimeve flasin se secila nga palët ka favoritin e saj.

Teuta Arifi është e pakontestueshme në Tetovë, si dhe Ramiz Merko në Strugë, ndërsa Nevzat Bejta, ish kryetar i Gostivarit do të sfidoj bastionin e Aleancës për Shqiptarët, Gostivarin, respektivisht Arben Taravarin.

Burime nga opozita shqiptare ASH-AA, kanë thënë për Zhurnal  se është gati se i sigurt nominimi i Arben Taravarit për një mandat të dytë në Gostivar, por edhe sekretari i Alternativës, Bekim Sali pret vetëm konfirmimin zyrtar si kandidat për Çairin, pasi emri i tij vështirë se do të mund të sfidohet nga ndonjë kandidat tjetër brendapartiak, nga shkaku i reputacionit që gëzon në popull.

Për komunat tjera akoma nuk ka propozime konkrete.

Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se partitë Alenaca dhe Alternativa kanë formuar grupet e punës me nga tre anëtarë secila, që për detyrë ka të hartojë strategjinë për zgjedhjet lokale në kuptim të ndarjes së komunave.

Partitë po analizojnë nëse është më mirë  të merren vesh cila komunë cilës parti do ti takojë në kuptim të kandidatit për kryetar, ose fillimisht do të gjejnë një emër cilësor, pavarësisht se cilit subjekt politik i takon.

Një risi të cilën e paralajmëron opozita shqiptare është se në zgjedhjet e tetorit do të sjellë në vendlindje emra të spikatur në diasporë, rrëfime të suksesshme të cilët do të garojnë me një fushatë dhe ofertë evropiane për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Kujtojmë se zgjedhjet lokale do të mbahen në gjysmëne dytë të tetorit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco