Greqi-Turqi zbusin tonet, ministrat e Jashtëm takohen në Athinë: Gati të zvogëlojmë dallimet

Greqi-Turqi zbusin tonet, ministrat e Jashtëm takohen në Athinë: Gati të zvogëlojmë dallimet

19:39, 31/05/2021

Greqia dhe Turqia u zotuan të hënën për të zvogëluar dallimet mes dy vendeve, me ministrat e Jashtëm që njoftuan një takim mes presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit Kyriakos Mitsotakis muajin e ardhshëm, në samitin e NATO-s.

Dy rivalët historikë përplasen për shumë çështje, nga pretendimet territoriale në lindje të Mesdheut, tek ajo për emigracionin dhe statusin e Qipros.

“Jemi tërësisht të vetëdijshëm për dallimet mbi disa çështje, për qëndrimet diametralisht të kundërta mes nesh dhe Turqisë. Qëllimi i takimit të sotëm ishte të përpiqeshim për një proces negociatash dhe nëse është e mundur, një normalizim të situatës me kalimin e kohës”, u shpreh Nikos Dendias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Deri të dielën, dy vendet shkëmbyen akuza lidhur me statusin e minoritetit mysliman në Greqi, kur Cavusoglu vizitoi privatisht rajonin veri-lindor të Trakesë, duke acaruar Athinën me komentet e tij, që e quajti minoritetin mysliman si komunitet turk.

Sipas Ankarasë, komuniteti prej 120 mijë myslimanësh në Greqi është minoritet turk, por Athina zyrtare i përcakton ata si myslimanë multietnikë.

Sidoqoftë, ministrat shmangën kontrastet në konferencën për shtyp, ndryshe nga ajo e muajit të kaluar në Ankara.

Cavusoglu tha se Turqia dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet ekonomike me Greqinë dhe shtoi se ka pasur hapa pozitive për 25 pika në fusha që variojnë nga transporti tek energjia, ambienti, turizmi dhe tregtia.

“Do të doja të theksoja se si Turqi, ne kemi vullnetin e duhur për të ndërvepruar dhe jam i lumtur të shoh se edhe Greqia ka të njëjtin vullnet. Nëse vazhdojmë kështu mund të ecim përpara në zgjidhjen e problemeve”, tha Mevlut Cavusoglu, ministër i Jashtëm i Turqisë.

Shefi i diplomacisë turke konfirmoi më tej se liderët e dy vendeve, presidenti Erdogan dhe kryeministri Mitsotakis kanë në plan të takohen në samitin e NATO-s, që mbahet në Bruksel më 14 qershor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco