Nëna e gazetarit që u arrestua në Bjellorusi me lot në sy: Ata do ta vrasin, ju lutem shpëtojeni

Nëna e gazetarit që u arrestua në Bjellorusi me lot në sy: Ata do ta vrasin, ju lutem shpëtojeni

21:26, 27/05/2021

Natalia Protasevich, nëna e gazetarit bjellorus Raman Protasevich që u arrestua të dielën në Minsk u ka bërë thirrje autoriteteve ndërkombëtare që ta shpëtojnë, pasi jeta e tij është e rrezikuar në Bjellorusi.

“Ju lutem, shpëtojeni. Ata do ta vrasin”, theksoi ajo.

Sipas saj, arrestimi i djalit është nxitur nga hakmarrja e Presidentit për shkak të veprimtarisë së tij si gazetar.

“Ata dërguan një avion luftarak për ta arrestuar atë dhe ky është një akt terrorist, nuk mendoj se mund të quhet diçka tjetër. Ai u mor peng”, tha Protasevich.

Ndërsa, babai i gazetarit theksoi se një nga mënyrat se si autoritetet i praktikojnë torturat është duke mos u treguar të afërmve vendin se ku mbahen njerëzit e tyre deri në minutën e fundit.

“Ne ende nuk e dimë nëse është atje, cilat janë kushtet e tij dhe si ndihet”, tha ai.

Autoritetet bjelloruse kanë aktivizuar një aeroplan ushtarak për të shoqëruar aeroplanin civil, i cili ka qenë në fluturim në Vilnius nga Athina më 23 maj, për atë që në fund doli të ketë qenë alarm i rremë për bombë.

Kur aeroplani është ulur, policia ka ndaluar Raman Pratasevich, 26 vjeç, aktivist opozitar dhe gazetar, i cili përballet me akuza në Bjellorusi, për të cilat mund të dënohet 15 vjet në burg.

Pasi aeroplani zbriti në Minsk, një udhëtar i paidentifikuar i tha faqes së lajmeve letoneze Delfi se Protasevich u arrestua menjëherë dhe bagazhet e tij u kontrolluan.

“Ne e pyetëm atë se çfarë po ndodhte“, tha pasagjeri, për të shtuar se Protasevich “po dridhej” duke i thënë se “ata do të më ekzekutojnë këtu“.

Më vonë, përmes një videoje Protasevich tha se po bashkëpunon me autoritetet.

“Mund të them se nuk kam probleme shëndetësore. Unë vazhdoj të bashkëpunoj me hetuesit dhe po merrem në pyetje në lidhje me organizimin protestave masive në qytetin e Minskut“, tha ai në videon e transmetuar nga televizioni shtetëror bjellorus.

Në video dukej se ai kishte disa shenja të zeza në ballë.

Si u bë që ky gazetar i ri në moshë të bëhej një revolucionar digjital dhe të nxisë zemërimin e autoriteve bjelloruse?

Të përmendim se ai ka qenë edhe bashkëfitues i çmimit Sakharov të Parlamentit Evropian 2020 për Lirinë e Mendimit.

Gazetari Pratasevich ka qenë një një bashkëthemelues dhe kryeredaktor i Nexta-Live, një kanal lajmesh i përqendruar në Bjellorusi. Mediumi që ai udhëhiqte kishte fituar një kredibilitet si një burim alternativ dhe i besueshëm i informacionit. Raportimet që kishte bërë ky medium, kishin zemëruar autoritetet e Bjellorusisë.

Në kohën kur zgjedhjet e 9 gushtit në Bjellorusi u kundërshtuan si të manipuluara dhe shpërthyen protestat kundër Alyaksandr Lukashenkas, mediumi i tij kishte bërë një mbulim të mirë të ngjarjeve, duke u bazuar në materiale ekskluzive të siguruara nga qarqet qeveritare si dhe duke shfaqur me video dhunën e regjimit të Bjellorusisë.

Kur Lukashenka u shpall fitues i një mandati të gjashtë, protestuesit ishin gati, dhe kjo pjesërisht edhe falë raportimeve të Nexta-s, që postonte informacione përmes platformës së mesazheve Telegram, duke shmangur kështu kufizimet që kishte vendosur qeveria në internet.

Protestat u bënë të përditshme në Bjellorusi.

Nexta publikonte informacione për kohën dhe vendet ku do të takoheshin demostruesit, pastaj sugjerime se si t’iu shmangen organeve të sigurisë dhe udhëzime për ta mbajtur lëvizjen paqësore.

Pamjet e dhjetëra-mijëra arrestimeve dhe dhunës brutale u bën publike për botën e jashtme, pjesërisht nga ana e Nexta-s. Gazetarët që nuk punonin për mediat shtetërore, gjithashtu janë shënjestruar nga ana e organeve të policisë.

Më 2019, Pratesevich ishte larguar nga Bjellorusia për shkak të presionit nga ana e autoriteteve dhe ai e lëshoi punën në Nexta-Live në shtator të vitit 2020, për të punuar për një kanal tjetër të njohur në Telegram.

Në vazhdën e protestave, Nexta-Live dhe logoja e saj u shpallën si ekstremiste nga ana e një gjykate bjelloruse si dhe u urdhërua kufizimi i shpërndarjes së saj në internet.

Pas këtij vendimi faqja e lajmeve ndryshoi logon e saj dhe vazhdoi punën përmes mundësisë që i ofronte aplikacioni Telegram. Gazetari Pratasevich u akuzua për organizimin e protestave, prishjen e rendit publik, nxitje të urrejtjes si dhe u vendos në një listë mbikqyrjeje terroriste.

Vetë Protasevich postoi një kopje të një liste zyrtare bjelloruse të terroristëve, në të cilën u shfaq emri i tij. Ai hodhi poshtë të gjitha akuzat si të motivuara politikisht.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco