Macron viziton Ruandën: Denoncon rolin e Francës në gjenocidin e vitit 1994

Macron viziton Ruandën: Denoncon rolin e Francës në gjenocidin e vitit 1994

15:06, 27/05/2021

Franca bartë “përgjegjësi të tmerrshme” për vdekjet e qindra mijëra vetëve në gjenocidin në Ruandë më 1994, ka thënë presidenti Emmanuel Macron.

Këto fjalë ai i deklaroi në një fjalim të shumë-pritur në Kigali, kryeqytetin e shtetit lindor afrikan.

Duke folur në Memorialin e Gjenocidit, ku 250 mijë viktima të masakrës janë varrosur, Macron tha që Franca nuk kishte qenë bashkëpunëtore në tragjedi por kishte bërë gabime në vlerësim që shkaktoi konsekuenca tmerruese.

“Duke u angazhuar… në një konflikt në të cilin nuk kishte pasur përvojë, Franca dështoi t’i vinte veshin paralajmërimeve dhe mbivlerësoi aftësinë e saj për të ndaluar diçka që po ndodhte,” tha Macron, përcjell Periskopi.

“Franca nuk e kuptoi që, në përpjekjet e saj për të parandaluar një konflikt rajonal apo luftë civile, në fakt po e mbështeste një regjim gjenocidal. Duke shpërfillur paralajmërimet e shumë observuesve, Franca mori përgjegjësi të tmerrshme në zingjirin e ngjarjeve që rezultuan në rrjedhojat më të këqija të mundshme, edhe pse bash këtë gjë provonte ta shmangte.”

Vizita e Macronit është e para e një lideri francez prej vitit 2010 në Kigali, e cila për kohë të gjatë e ka akuzuar Francën se ka bashkëpunuar në vrasjen e rreth 800 mijë ruandasve tutsi.

Trupat franceze kishin udhëhequr një intervenim ushtarak-humanitar të quajtur “Operacioni Breshka” të lansuar nga Parisi nën mandatin e OKB-së mes qershorit dhe gushtit 1994, por kritikët kanë thënë që kishte për qëllim të mbështeste qeverinë Hutu që ishte përgjegjëse për gjenocidin.

Vizita është simbolike dhe provon të largojë tre dekada tensionesh diplomatike për rolin e Francës në gjenocid.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco