James Bond takon Jeff Bezos: Amazon blen studion MGM për 8.45 miliard dollarë

James Bond takon Jeff Bezos: Amazon blen studion MGM për 8.45 miliard dollarë

13:06, 27/05/2021

Një erë ka përfunduar e një tjetër nis për një nga simbolet më të mëdhenj të Hollivudit, Metro-Goldwyn-Mayer, shtëpia e James Bond dhe Rocky, më në fund ka gjetur një blerës: Amazon.

Gjiganti i tregtisë në internet bëri të ditur se do të blejë studion 97-vjeçare kinematografike dhe televizive për 8.45 miliard dollarë, 40% më tepër nga sa e vlerësonin MGM blerës të tjerë të mundshëm, përfshirë Apple dhe Comcast. Studioja dikur kishte ‘më tepër yje se qielli’, siç pëlqente të mburrej Louis B. Mayer.

Por trashëgimia gjigante dhe biblioteka e filmave të prodhuar para 1986 u shitën dekada më parë. Sony Pictures ka në pronësi tani prodhimet e saj, ndërsa Warner Bros, ka klasikë të MGM si ‘Këngë në shi’, ‘Magjistari i Ozit’ dhe ‘Ikur bashkë me erën’. MGM megjithatë vjen me një xhevahir kurore të Hollivudit: James Bond.

Por edhe 007 e ka një asterisk. Amazon do të zotërojë vetëm 50% të së drejtës tregtare të spiunit të famshëm. Balanca mbahet nga Barbara Broccoli dhe vëllai i saj, Michael G. Wilson. Ata kanë kontroll të hekurt krijues, që iu lejon të vendosin kur të bëjnë një film të ri me Bond, kush do ta luajë spiunin 007 dhe nëse mund të bëhen seriale televizivë vijues (në të kaluarën kanë bllokuar përpjekje të tilla).

Filmi i 25-të i serisë Bond, ‘No Time to Die’, pritet të dalë në kinema më 9 tetor, i vonuar për shkak të pandemisë, me Universal Pictures që ka distribucionin jashtë Amerikës.

Pse pagoi Amazon për të?

Para së gjithash, sepse mundet. Kompania ka 71 miliardë dollarë në cash dhe kapitalizim tregu 1.64 trilion dollarë.

Por Jeff Bezos, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Amazon, njihet si blerës konservativ. Blerja e Whole Foods për 13.4 miliard dollarë më 2017 ishte blerja më e madhe në historinë e Amazon. E dyta -deri te MGM -ishte Zappos (1.2 miliard, 2009) dhe kompania e zileve të dyerve intelgjente Ring (1.2 miliard, 2018).

Me blerjen e MGM, Amazon përforcon shërbimin streaming ‘Prime Video’ në një kohë kur studiot më të mëdha të linjës së vjetër kanë përherë e më pak dëshirë t’u licencojnë përdorimin e bibliotekave të tyre shërbimeve streaming të jashtme; Warner Bros, Walt Disney Studios dhe Paramount Pictures tani duhet të furnizojnë korporata motra si HBO Max, Disney+ e Paramount+.

Kjo i ka bërë bibliotekat e pavarura të filmave më të çmuara. Javët e fundit, Sony Pictures licencoi filmat dhe serialët e vjetër për Netflix dhe Disney në marrëveshje me vlerë mbi 3 miliard dollarë, një rritje e madhe krahasuar me marrëveshjet licencuese pranë kadencës. Sony nuk ka shërbim streaming, nëse nuk llogarisni PlayStation Network që është i orientuar nga videogames.

Ndonëse biblioteka e saj është tkurrur, MGM ende zotëron 4,000 filma më të vjetër, përfshirë filma para 1986 që vijnë nga dy divizione të MGM, United Artists dhe Orion. Këta filma përfshijnë ‘Rocky’, ‘RoboCop’, ‘Pantera rozë’, ‘Heshtja e qengjave’ dhe katalogun e James Bond.

Oreksi i Amazon për filma u kthye në uri gjatë pandemisë.

Ajo pagoi 125 milion dollarë për të drejtat e ‘Coming 2 America’, 80 milion për ‘Borat Subsequent Moviefilm’ dhe 200 milion për ‘The Tomorrow War’ që do të shfaqet në Prime më 2 korrik. Amazon ka edhe ambicie për Oscar, teksa bleu të drejtat e ‘Tingulli i metalit’, i cili u dominua për fotografinë më të mirë dhe çmime të tjera kryesore në ceremoninë e fundit. 

Burimi New York Times-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco