Troqe u vra me armë në brez/ 3 viktima mes të kthyerve nga Spanja

Troqe u vra me armë në brez/ 3 viktima mes të kthyerve nga Spanja

09:23, 27/05/2021

38-vjeçari Delon Troqe, i ekzekutuar në Vlorë më 21 maj, ishte personi i tretë që vritet në qytetin bregdetar me armë në brez, dhe viktima e tretë mes të sapokthyerve nga Spanja në harkun e pak javëve në vend.Hetimet janë shtrirë në disa pista, por ngjarja mbetet ende pa autor.

Ekzekutimi me 16 plumba i 38-vjeçarit, Delon Troqe, mbrëmjen e 21 majit në Vlorë mbetet ende pa autor. Policia e Prokuroria e Vlorës sipas burimeve të Ora News ende nuk kanë asnjë të dhënë për autorët apo motivin që qëndron pas vrasjes. Mbi 20 të shoqëruarit si të dyshuar, persona në dijeni apo dëshmitarë janë lënë të gjithë të lirë.

Në pyetje mësohet se është marrë edhe babai i viktimës, Fiqiri Troqe, i cili në polici citohet të ketë deklaruar se veç një konflikti me disa persona në një lokal, sipas tij i biri nuk ka pasur përplasje të tjera. Ky konflikt, sipas babait të Delonit, ka ndodhur për motive banale.

38-vjeçari u sulmua në derën e një servisi që zotëronte pranë stadiumit "Flamurtari" me dy armë kallashnikovë që u gjetën të djegura bashkë me makinën që dyshohet se përdoren autorët për sulmin.

Ekspertët kriminalistikë i gjetën një pistoletë në brez, por që ai nuk mundi ta përdorë siç duket për shkak të sulmit të befasishëm. Arma tregon qartë se ai i druhej një atentati.

Në fakt Delon Troqe është viktima e tretë radhazi në Vlorë që i gjendet armë në brez pas ekzekutimit. Më herët, policia  u ka gjetur pistoletë Taulant Manajt të vrarë në Transballkanike në 3 mars dhe Bledar Birçajt të ekzekutuar në makinën e tij në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit. Ndërsa bashkë me Bledar Birçajn dhe Everest Çakën, e ekzekutuar në Elbasan, 38 vjeçari ndan të përbashkët faktin se janë vrarë vetëm pak kohë pas kthimit nga Spanja.

Delon Troqe, kishte vetëm dy muaj e gjysmë që ishte kthyer nga shteti iberik, ku burime pranë Policisë së Vlorës thonë se dyshohet se është marrë me kultivim droge në të ashtuquajturat shtëpi bari dhe tregimin e saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco