Si u arratis nga Korea Veriore nipi i Kim Jong Un dhe kush është grupi misterioz që e ndihmoi?

Si u arratis nga Korea Veriore nipi i Kim Jong Un dhe kush është grupi misterioz që e ndihmoi?

10:29, 24/05/2021

Christopher Ahn vë një këmbë në tavolinën e shtëpisë së tij në Los Angeles dhe i tregon mysafirit të tij aparaturën elektronike që monitoron spostimet kur je jashtë me kusht. Ky dispozitiv survejimi, i vendosur në kaviljen e majtë e një veterani të Korpusit të Marinsave me pamje paqësore, do të thotë shumë. Është simboli i aktivizmit që shndërrohet në krim, i anës së errët i qëllimeve të mira, i gjithë tymit që mbështjell operacionet që kanë të bëjnë me Korenë e Veriut. Mysafiri i Christopher Ahn është Max Boot, intelektual dhe historian konservator i lindur në Bashkimin Sovjetik dhe më pas i rritur në California, që pas atij takimi ka shkruar një apel të fortë në “Ëashington Post” të firmosur bashkë me Sue Mi Terry, ish agjente e CIA, supereksperte e çështjeve koreanoveriore dhe tani Senior Felloë në Center for Strategic and International Studies. Apeli lexon pakashumë kështu: dikush në administratën Biden duhet të bëjë diçka për të penguar që ky ish marins të dënohet ose më keq: të bëhet objektiv i gangove të Kim Jong Un.

Një ish ushtar amerikan me origjinë koreane në arrest shtëpie, i asistuar pro bono nga një ekip avokatësh, të gjithë me origjinë aziatike, me nivel shumë të lartë. Një shtet europian, Spanja, i kërkon ekstradimin për ta gjykuar: akuzohet për 6 krime, midis të cilëve rrëmbim personi, rrëmbim me dhunë dhe frikësim, kërcënim dhe kriminalitet i organizuar. Rrjeti diplomati koeranoverior, ai që faktikisht avancon interesat ekonomike të vendit më të sanksionuar të botës, i çalë dhe i frikësuar. Një diplomat që arratiset nga Londra, një tjetër që zhduket papritmas në Romë. Vëllai për babë i liderit që vritet në aeroportin e Kuala Lumpurit dhe djali i tij që rishfaqet në një videomesazh. Janë gjitha lajme në dukje të largëta, që lidhen misteriozisht vetëm shumë kohë më pas, aksione force dhe të bujshme të shoqëruara nga ngjarje në dukje të parëndësishme. Pastaj edhe vrima të zeza të inteligjencës, përplasje diplomatike, personazhe që zhduken dhe rishfaqen, si në filmat me spiunazh.

Në vitin 2017 Pheniani kishte filluar të mbushte faqet e para e gazetave ndërkombëtare për shkak të provokimeve ushtarake dhe të qëndrimit të presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump, që kishte vendosur ta transformonte Korenë e Veriut në vendit ku të tregonte muskujt e tij. Në harkun e dy viteve, detyrohemi sërish të flasim për liderin Kim Jong Un, ama për arësyen e kundërt: hapjen, dialogun, punën diplomatike midis Uashingtonit, Seulit dhe Phenianit. Pastaj, pas dështimit të samitit të fundit midis Amerikës dhe Koresë së Veriut, atë të Hanoit të shkurtit 2019, nuk kanë ardhur më lajme politike të rëndësishme nga Paraleli i 38: pandemia ka hutuar pjesën tjetër të botës dhe, nga frika e infektimeve (dhe e reputacionit) Pheniani e ka ngritur edhe më shumë nivelin e mbrojtjes së kufijve të tij dhe qarkullimi tashmë i vështirë i të huajve brenda territorit të tij praktikisht është zeruar.


Megjithatë është gjithçka që ndodh në momentet kur jemi të hutuara nga tjetër që kontribuon të krijohen lajmet mëtë rëndësishme që kanë të bëjnë me Korenë e Veriut. “Po ky nuk është film. Ka të bëjë me jetën time”, i ka thënë disa javë më parë Christopher Ahn gazetës koreanojugore “Kukmin Ilbo”, që ka shkuar ta kërkojë në shtëpinë e tij në Los Angeles dhe i ka bërë një intervistë që ka zgjatur “rreth 7 orë”. Më 25 maj do të jetë vendimi final i gjykatësit amerikan që ka ndjekur procesin e tij të ekstradimit në Spanjë. Ahn është i hetuari i vetëm në një prej aferave më të çuditshme që kanë pasur të bëjnë ndonjëherë me Korenë e Veriut në Europë.

Është 22 shkurti i 2019. Në orën 16 e 34 minuta, një njeriu Nr. 43 të Via Darío Aparicio në Madrid i bie citofoni. Është selia e ambasadës koreanoveriore në Spanjë, një vend jashtëzakonisht i rëndësishëm për lidershipin e Phenianit, pas në Madrid Koreja e Veriut ka interesa të shumta – parasëgjithash një shtetas spanjoll, i quajtur Alejandro Cao de Benós, themelues i Korea Friendship Association, një lloj ambasadori perëndimor i trafiqeve të errëta të Phenianit në Europë. Ai që i bie citofonit është Adrian Hong Chang, shtetas meksikan me origjinë koreane banor në Shtetet e Bashkuara. Prezantohet si Mattheë Chao, thotë se dëshiron të takoje atasheun tregëtar Yun Suk So, përgjegjës i një kompanie që quhet Baron Stone Capital dhe që dëshiron të bëjë biznes me Phenianin. E kishte takuar So 15 ditë më parë dhe sipas dëshmive të ndryshme ishte refuzuar pa siguruar një takim të mëtejshëm. Adrian Hong, alias Mattheë Chao, ishte kthyer tani për t’i “dorëzuar një dhuratë”.

Funksionari i ambasadës largohet nga dera, shkon të kërkojë eporin e tij dhe, në harkun e pak minutave, Adrian Hong fut në perimetrin e ndërtesës një grup personash me kapuç në kokë – sipas rindërtimit të gjatë që i ka bërë rastit gjykatësi spanjoll José de la Mata Amaya, shumë i njohur në Spanjë prej çështjeve të ndryshme të shndërruara në shumë mediatike, gjithësesj 11. Grupi futet brenda ndërtesës së ambasadës koreanoveriore dhe nga aty ajo që ndodhi nuk është ende e qartë. Sipas dëshmive të stafit koreanoverior, për 4 orët e mëpasme e shoqja dhe i biri 8 vjeçar kanë qëndruar të mbyllur në një dhomë, të kontrolluar nga një prej sulmuesve. 4 diplomatëve të tjerë u vihen kapuçët në kokë dhe prangosen në papafingon e ambasadës, Yun Suk So dërgohet në bodrum. Rreth 1 orë pas hyrjes së grupit, një grua arrin të dalë nga dritarja, zbret në rrugë dhe kërkon ndihmë.

Fqinjët lajmërojnë policinë, që në harkun e pak kohe e arrin gruan, por nuk arrijnë të komunikojnë midis tyre: forcat e rendit spanjolle nuk kanë përkthyes të koreançes, kërkojnë të kuptojnë nëpërmjet internetit fjalët palidhje e gruas së shokuar, pyesin për shëndetin mendor të saj. Në dyshim policia, e cila me ligj nuk mund të futet brenda një ambasade, i bie citofonit dhe përgjigjet Adrian Hong: “Gjithçka shkon mirë”. Yun Suk So është ende në bodrum dhe, sipas asaj që i është treguar policisë prej tij, sulmuesit donin që të dezertonte: “U bëra ambasador i qeverisë së re të Koresë së Veriut”. Por asgjë nuk shkon sipas parashikimit. Yun Suk So bën rezistencë (sipas mbrojtjes së amerikanëve, për ndonjë arësye, pa i paralajmëruar “shpëtuesit” e tij, ndërron mendje: nuk dëshiron më të dezertojë) dhe kështu grupi vendos që ta braktisë operacionin. Largojnë të gjithë dispozitivët elektronikë, hipin në makinat e ambasadës, ato me targa diplomatike dhe ja mbathin.

Jashtë policia nuk mund t’i ndalojë. Makinat do të gjenden të braktisura pak orë më pas jashtë Madridit. Pamjet e videosurvejimit të ambasadës filmojnë fytyrën e mbuluar të Christopher Ahn pak përpara se të futej në ambasadë. Në një moment të parë policia spanjolle mendon për një sulm me motive spiunazhi: ambasadori koreanoverior në Madrid quhet Kim Hyok Chol. Në vitin 2017, si shumë ambasadorë të tjerë në Europë, përfshi atë në Romë, është përzënë nga vendi në reagim të provokimeve raketore dhe bërthamore koreanoveriore. Menjëherë më pas, Kim Hyok Chol është bërë një prej njerëzve kyç të traktativave lidhur me denuklearizimin midis Amerikës dhe Koresë së Veriut (aq sa pas dështimit të samitit në Hanoi, shtypi ndërkombëtar e kishte deklaruar si të vdekur, por në fakt është shëndoshë si kokrra e mollës).

Me pak fjalë: Kim është një njeri që di një thes me gjëra dhe i dinte edhe përpara përzënies nga Spanja. Pheniani e quan sulmin në Madrid “një attentat terrorist”. Tri ditë më pas, shfaqet në YouTube një video – komunikatë: grupi Free Joseon e merr përsipër operacionin, por mohon se ka pasur ndonjë dhunë. Mbi të gjitha nga një version tjetër i fakteve: ka qenë Yun Suk So ai që ju ka telefonuar, pasi dëshironte të dezertonte, dhe donte që të dukej si rrëmbim për të shmangur që familja e tij në Korenë e Veriut të pësonte raprezalje prej vendimit të tij. Kush merret me çështjet koreanoveriore di të lexojë midis rreshtave: të gjithë i njohin Free Joseon (Joseon është mbretëria e lashtë e Koresë).

Është një grup radikal, janë njerëz që mund të quhen edhe fanatikë, edhe heronj, sipas këndvështrimit tënd”, ka thënë Andrei Lankov, analist ndër më të rëndësishmit e Koresë, për “The Guardian” pak kohë më parë. Free Joseon lindin në California, në komunitetin e madh korean e Bregut Perëndimor e Shteteve të Bashkuara. Shfaqen online për herë të parë me një uebsajt jashtëzakonisht të errët dhe një emër tjetër, Cheollima Civil Defense (cheollima është kali me flatra i traditës mitologjike koreanoveriore).


Më 13 shkurt 2017 Kim Jong Nam, vëllai për babë i liderit Kim Jong Un që jetonte në Macao të Kinës, vritet me gaz nervor në mes të aeroportit të populluar të Kuala Lumpur. Koreanoveriorët janë të akuzuarit e parë. Dy ditë më vonë Kim Han Sol, vitlindja 1995, djali i Kim Jong Nam, shfaqet në një videomesazh në kanalin e tij në YouTube: tregon pashaportën e tij për të konfirmuar identitetin, thotë se është arratisur me familjen e tij dhe se ndodhet në një vend të sigurtë falë “Chris”, domethënë Christopher Ahn, dhe Adrian, domethënë Adrian Hong, atë që më pas dë të rezutojë se është lideri i Free Joseon.

Christopher Ahn dhe Adrian Hong janë njohur në vitin 2009, në një bar të San Diego. Historinë e tyre e ka rindërtuar Suki Kim, gazetarja që më 23 nëntor të 2020 ka botuar një artikull shumë të gjatë në “Neë Yorker”, deri më tani e vetmja që ka mbledhur dëshminë e Adrian Hong, që jeton në arrati pasi kërkohet nga autoritetet amerikane, spanjolle dhe, natyrisht, koreanoveriore. Një prej aktivistëve më të famshëm të çështjeve koreanoveriore, në vitin 2004 Hong themelon LiNK – Liberty in North Korea, një shoqatë që ende sot ndihmon dezertorët koreanoveriorë që të ndërtojnë një jetë jashtë regjimit. Bën një emër edhe brenda administratës së George Ë. Bush e më pas të Barack Obama, por disa vite më pas lë gjithçka, ndryshon numër telefoni dhe vendosë të bëjë “diçka më domethënëse”.

Rritja e vetëdijes së njerëzve nëpërmjet leksioneve universitare, tureve, koncerteve dhe shitjeve të ëmbëlsirave nuk ishte e mjaftueshme”, i ka thënë Hong gazetares Suki Kim. ““Shpëtimi i refugjatëve nëpërmjet punës së nëndheshme në Kinë dhe në Juglindjen Aziatike nuk ishte i mjaftueshëm. Të kërkosh të bindësh qeveritë që të ndryshojnë politikat e tyre për të bërë gjënë e drejtë nuk ishte e mjaftueshme. Kështu, ajo që mbetej ishte aksioni i drejtpërdrejtë”. Në vitin 2010, Adrian i jep jetë Cheollima Civil Protection, por nuk ja bën publike ekzistencën”, lexohet në “Neë Yorker”.

Fillojnë veprimet. Free Joseon/Cheollima lëvizin dalin jashtë gaidshullit korean. Rekrutojnë ekspertë, anëtarë elite, aktivistë dhe sidomos koreanoveriorë të arratisur nga regjimi, të gatshëm që të bëjnë gjithçka për të shpëtuar të tjerë si ata. Disa ditë pas sulmit ndaj ambasadës në Madrid, një anonim ka botuar një artikull në “Fox Neës”: “Më 22 shkurt 2019 ndodhesha brenda ambasadës koreanoveriore në Madrid. Jam një refugjat koreanoverior. Pasi kam mbetur jetim qysh fëmijë, jam ndeshur me urinë çdo ditë dhe jam arratisur i vetëm në Kinë përpara se të arrestohesha, riatdhesohesha dhe të dënohesha me punë të detyruar dhe me uri në një kamp internimi. Më pas kam arritur të arratisesha sërish, kësaj radhe deri në liri dhe me statusin e refugjatit në një vend të lirë. Kur kam mësuar për ekzistencën e grupit disident koreanoverior Provisional Government of Free Joseon jam përmbytur nga gëzimi dhe nga lehtësimi. Më së fundi kishte njerëz që ndjenin përgjegjësinë e ndalimit të krimeve kundër njerëzimit të kryera në atdheun tim”.

Adrian Hong njeh Kim Han Sol dhe kur djaloshi, pak orë pas vrasjes së babait të tij në shkurtin e 2017, kupton se ai, motra dhe nëna e tij janë në rrezik, i telefonon Adrian. Të nesërmen Christopher Ahn takon familjen Kim në aeroportin e Taipei, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara Adrian kërkon të gjejë një vend që mirëpret refugjatët e shquar. Pas 18 orësh blen për të gjithë bileta avioni për Amsterdam, por ndalohen në gate. Vijnë dy agjentë të CIA që duan të flasin me Han Sol dhe, pas udhëzimeve të Adrian, Chris i regjistron djaloshit videon për YouTube, më pas bien dakord që marrin një fluturim të ri drejt Hollandës. Nga ai moment e prapa, siç i ka treguar Adrian Hong gazetares Suki Kim, humbasin gjurmët e të afërmve më të ngushtë të Kim Jong Un. Shpesh Free Joseon janë akuzuar se janë krahu i armatosur i CIA për punët e pista, por një lidhje që ata e mohojnë.

Por ka edhe një ngjarje tjetër, ndoshta deri më misterioze, dhe ka të bëjë me Italinë. “Një mëngjes të nëntorit 2018, diplomati më i lartë në rang i Koresë së Veriut në Itali lë godinën e ambasadës së tij bashkë me të shoqen. Kolegëve u thotë se po del të bëjë një shëtitje. Në të kundërt, çifti hip në një makinë në afërsitë e saj dhe nuk kthehet më. Në drejtim të automjetit për arratisjen atë ditë ishte një anëtar i grupit klandestin të quajtur Free Joseon”. Fillon kështu rindërtimi i Bradley Hope, John Lyons dhe Alastair Gale të botuar në “Ëall Street Journal” një vit më parë. Përpara Madridit, Free Joseon kishin “goditur” në Romë, në Viale dell’Esperanto Nr. 26, në lagje të izoluar të zonës Eur.

Jo Song Gil bënte funksionet e ambasadorit qysh kur nga tetori i 2017 Farnesina, në atë kohë e drejtuar nga Angelino Alfano, kishte vendosur të mos e akreditonte ambasadorin e ri e caktuar nga Koreja e Veriut në itali. Jo ishte mjaft aktiv në komunitetin italian që bën biznes me Korenë e Veriut, por zhdukja e tij, e dalë në dritë në ditët e para të 2019, i kishte shkaktuar mjaft kokëçarje qeverisë italiane. Gazetat koreanojugore shkruanin se Jo i kishte kërkuar mbrojtje Italisë, pa e marrë atë (një kërkesë që “nuk i rezulton” Farnesina).

Disa javë më vonë është mësuar se vajza e tij, minorene 17 vjeçare, ishte riatdhesuar në Korenë e Veriut. Farnesina, në atë kohë e drejtuar nga Enzo Moavero Milanesi, kishte bërë të ditur se “Ministria e Jashtme koreanoveriore ka informuar atë italiane se ish i Ngarkuari me Punë Jo Song Gil dhe e shoqja e kanë lënë ambasadën më 10 nëntor dhe se e bija, duke kërkuar të rikthehej në vendin e saj tek gjyshërit, ishte rikthyer më 14 nëntor 2018, e shoqëruar nga personel femëror i ambasadës”. Një njoftim, por asnjë hetim i mëtejshëm. Sipas rindërtimeve të mëpasme, ka mundësi që 17 vjeçarja donte vërtet të kthehej në Korenë e Veriut apo që grupi Free Joseon nuk ja kishte dalë në kohë ta largonte.

Nënsekretari i Jashtëm Manlio Di Stefano kishte folur deri për një “aferë Shalabayeva” të re, duke premtuar: “Kush ka përgjegjësi, do ta paguajë. Të jeni të sigurtë”. Prirja e populistëve ishte natyrisht ajo për operacionet e shërbimeve sekrete italiane dhe të huaja në territor, Deep State, reptilianët. Mbrojtja e vajzës së Jo Song Gil nuk sigurohej nga institucionet italiane, por as ajo e vetë diplomatit: sipas inteligjencës koreanojugore, Jo Song Gil ka arritur të shkojë në Korenë e Jugut vetëm në korrikun e 2019 dhe gjatë këtyre 7 muajve, ka mundësi me ndihmën e Free Joseon, kishte kërkuar mbrojtje në Itali dhe “në një vend të tretë”. Për shumë kohë ai dhe e shoqja janë strehuar në “një vend të sigurtë” në Itali.

Tani e dimë thuaje me siguri se pas arratisë së Jo Song Gil në Romë qëndronin Christopher Ahn dhe Adrian Hong. Sipas analistëve të dëgjuara gjatë këtyre ditëve nga mediat amerikane, është e vështirë që Shtetet e Bashkuara të vendosin ta ekstradojnë Ahn në Spanjë, ku rrezikon deri 24 vite burg, por, siç ka shkruar Max Boot, sidomos rrezikon që të takojë “skuadrat e vdekjes” e Kim Jong Un. Problemi është se i gjithë impianit akuzues i prokurorëve spanjollë bazohet mbi dëshmitë e koreanoveriorëve dhe është edhe për këtë që në Amerikë kanë lindur grupe mbështetës për Free Joseon – përfshi një uebsajt, “Freedom For Free Joseon” (ëëë.freefj.is). Nga ana tjetër, armiku kryesor i regjimit koreanoverior në këtë moment është një grup aktivistësh me metoda ushtarake që vepron në kufi me ligjshmërinë. Të gjithë motive të mira për të qenë të preokupuar

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco