Doli kundër Trump, republikanët largojnë nga drejtimi ligjvënësen Cheney

Doli kundër Trump, republikanët largojnë nga drejtimi ligjvënësen Cheney

20:40, 12/05/2021

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan të mërkurën paradite për largimin e ligjvënëses Liz Cheney nga posti udhëheqës i partisë së tyre, lidhur me kritikat e saj ndaj pretendimeve të ish-Presidentit Donald Trump për mashtrime në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar.

 

Liz Cheney, vajza e ish-Nënpresidentit Dick Cheney, humbi postin e saj në krye të Konferencës Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve, posti i tretë më i lartë, përgjegjëse për komunikimin e mesazhit të republikanëve për publikun e gjerë.

Vendimi u mor në një mbledhje me dyer të mbyllura. Mbrëmjen e së martës, zonja Cheney mbajti një fjalim të zjarrtë në Kongres drejtuar udhëheqjes së partisë së saj:

 

“Zgjedhjet kanë mbaruar. Ky është ligji dhe procesi ynë kushtetues. Ata që refuzojnë të pranojnë vendimet e gjykatave tona janë në luftë me kushtetutën. Detyra jonë është e qartë. Secili prej nesh që ka bërë betimin duhet të veprojë për të parandaluar shpërbërjen e demokracisë sonë. Kjo nuk ka të bëjë me politikën apo partinë. Ka të bëjë me detyrën tonë si amerikanë. Heshtja dhe injorimi i gënjeshtrës e trimëron gënjeshtrarin. Unë nuk do të marr pjesë në të. Nuk do të heshtë ndërsa të tjerët e çojnë partinë tonë në një shteg që braktis shtetin ligjor dhe i bashkohet kryqëzatës së ish-presidentit për të minuar demokracinë tonë.”

 

Ligjvënësja Cheney, përfaqësuesja e vetme e shtetit Uajoming (Wyoming), ka denoncuar me vendosmëri pretendimet e ish-Presidentit Trump se ai, dhe jo demokrati Biden, ishte fituesi legjitim i zgjedhjeve presidenciale, pavarësisht se fushata e tij humbi disa sfida gjyqësore për të përmbysur rezultatin përfundimtar në shtetet kryesore që ai humbi.

 

Ligjvënësja Elise Stefanik, përfaqësuese e Nju Jorkut në Kongresin amerikan, e cila ka mbështetur me forcë prentedimet e ish-Presidentit Trump, ka të ngjarë të zgjidhet për të zëvendësuar zonjën Cheney në krye të konferencës republikane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco