Mbi 40 persona të vrarë nga konflikti ndërmjet Izraelit dhe militantëve palestinezë

Mbi 40 persona të vrarë nga konflikti ndërmjet Izraelit dhe militantëve palestinezë

11:13, 12/05/2021

Të paktën 35 të vrarë në Gaza dhe pesë në Izrael është bilanci i përleshjeve të armatosura mes Izraelit dhe Hamasit.

Këto janë luftimet më të ashpra që kanë ndodhur në vitet e fundit.

Të mërkurën në mëngjes, Izraeli kreu qindra sulme ajrore në Gaza, ndërsa grupi islamist Hamas dhe militantët tjerë palestinezë, qëlluan me breshëri raketash në drejtim të Tel Avivit dhe qyteteve tjera.

Izraeli tha se avionët e tij kishin shënjestruar dhe vrarë disa udhëheqës të inteligjencës së Hamasit. Ushtria tha se sulmet tjera shënjestruan lokacionet prej nga janë lëshuar raketat e militantëve, raporton Reuters.

Militantët palestinezë në Gaza kanë shkrepur më shumë se 1,000 raketa në drejtim të Izraelit që nga e hëna në mbrëmje, kur luftimet u përshkallëzuan në mënyrë dramatike pas disa ditëve të trazirave në Jerusalem, tha ushtria izraelite.

Zëdhënësi i ushtrisë, Jonathan Conricus, u tha gazetarëve të mërkurën në mëngjes se si kundërpërgjigje Izraeli po godiste vetëm objektivat ushtarake dhe se ushtria kujdeset për të minimizuar ndikimin mbi civilët.

Të martën, sulmet izraelite shkatërruan një ndërtesë 12-katëshe në qytetin e Gazës.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për paqen në Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, bëri thirrje për ndaljen e dhunës.

"Ndaloni menjëherë. Situata po përshkallëzohet drejt një lufte të shkallës së plotë. Udhëheqësit nga të gjitha palët duhet të marrin përgjegjësinë e përshkallëzimit”, shkroi ai Twitter.

Izraeli ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme në qytetin qendror të Lodit, pasi protestuesit arabë hodhën gurë ndaj policisë e cila u përgjigj me gazlotsjellës.

Protestat pasuan varrimin e një arabi izraelit i cili vdiq gjatë trazirave në qytet një ditë më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco