Kina pezullon dialogun ekonomik me Australinë

Kina pezullon dialogun ekonomik me Australinë

19:02, 06/05/2021

Kina ka pezulluar një forum dialogu dypalësh ekonomik me Australinë, dhe kjo solli një përkeqësim të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

Në një deklaratë të enjten, Komisioni Kombëtar kinez për Zhvillim dhe Reformë njoftoi se kishte "pezulluar" për një periudhë të pacaktuar Forumin e Dialogut Ekonomik e Strategjik Kinë-Australi.

Në deklaratë përmendeshin si arsye për këtë vendim ato që u quajtën masa të Australisë për "prishjen e shkëmbimeve normale" për shkak të një "mendësie të kohës së Luftës së Ftohtë dhe diskriminimi ideologjik".

Dy vendet e krijuan forumin në vitin 2014, me synimin për të diskutuar mosmarrëveshjet tregtare e çështje të tjera ekonomike.

Por vëzhguesit thonë se pezullimi është kryesisht një akt simbolik, pasi palët nuk kanë zhvilluar bisedime zyrtare që nga viti 2017.

Tensionet mes Australisë dhe Kinës nisën në 2018, kur Australia ndaloi gjigandin kinez të telekomunikacionit Huawei të ishte pjesë e rrjetit të saj 5G.

Marrëdhëniet u përkeqësuan më tej për shkak të nxitjes që Australia i bëri një hetimi të pavarur mbi origjinën e pandemisë së koronavirusit, i cili u zbulua për herë të parë në fund të vitit 2019, në qytetin kinez të Wuhanit.

Pekini reagoi duke vendosur tarifa të ashpra ndaj elbit australian dhe pezulloi importet e mishit nga ky vend.

Muajin e kaluar Australia anuloi dy marrëveshje që shteti i Viktorias nënshkroi me Kinën lidhur me iniciativën infrastrukturore shumëkombëshe disa miliarda dollarëshë, Një rrugë një brez, duke shkaktuar paralajmërime për hakmarrje nga Pekini.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco