Sasia marramendëse/ Sekuestrohet 2.5 tonë drogë në Indonezi

Sasia marramendëse/ Sekuestrohet 2.5 tonë drogë në Indonezi

09:16, 29/04/2021

Autoritetet indoneziane kanë konfiskuar 2.5 tonë të substancës narkotike të llojit metamfetaminë pas një vargu bastisjesh që u kryen si pjesë e luftës kundër një zinxhiri ndërkombëtar të trafikimit që shtrihet deri në Afganistan, tha policia e këtij shteti.

Sasia e madhe që u konfiskua, vlera e së cilës besohet të jetë rreth 82 milionë dollarë, u gjet pas bastisjeve në tri vende, përfshirë kryeqytetin Xhakarta dhe në Acen, në ishullin Sumatra, tha komandanti i përgjithshëm i policisë, Listyo Sigit Praboëo.

Policia tha se një person u vra, pasi i rezistoi arrestimit gjatë bastisjeve dhe 18 të tjerë u arrestuan. 17 prej të arrestuarve janë indonezianë dhe një tjetër është nga Nigeria, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Agus Andrianto, shef i hetimeve kriminale në policinë kombëtare, tha se kjo sasi e drogës ka hyrë në ujërat e Indonezisë nga Afganistani muajin e kaluar. Autoritetet thanë se droga u transportua me anije përmes territorit të Malajzisë.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet në Indonezi konfiskojnë sasi të madhe droge. Në vitin 2018, 1.6 ton metamfetaminë u gjetën në një anije afër ishullit të Batamit.

Ndryshe, Indonezia është në mesin e shteteve me ligjet më të ashpra kundër manipulimit me substanca narkotike. Trafikimi i drogës është vepër penale që dënohet me vdekje.

Indonezia u përball me kritika të komunitetit ndërkombëtar në vitin 2015, kur ekzekutoi disa të huaj, përfshirë dy australianë, të cilët ishin udhëheqës të një grupi për trafikimin e heroinës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco