Operacioni sekret britanik kundër komunizmit në Oman

Operacioni sekret britanik kundër komunizmit në Oman

15:31, 28/04/2021 Nga Daut Dauti

Omani ka sipërfaqe  dhjetëra herë më shumë se Kosova dhe gati pesë milionë banorë. Deri më 1970 ky vend me siguri ka qenë më i varfëri dhe më i rrezikuari në botë kurse sot është më i qeti, më i sigurti dhe rradhitet ndër shtetet më të pasura të botës.

Deri më 1970 ka qenë vend aq i prapambetur sa që kishte vetëm disa shkolla, asnjë spital e asnjë rrugë të asfaltuar. Gjërat ndryshuan kur u zbulua nafta dhe kur Kabuz bin Said u kthye nga Anglia si oficer i lartë pasi që kishte kryer akademinë ushtarake të njohur në Sundhurst. Baba i Kabuzit, Said bin Taimur, sultani i 13 i Omanit, nuk bënte asnjë ndryshim nga parimet mesjetare të shtetit të tij të varfër. Kjo ishte arsyeja që Kabuzi e rrëzoi babain e tij nga pushteti (besohet me ndihmën britanike) dhe gjërat filluan të mbarën. 

Por, shpejt u keqësua gjendja për shkak se forcat komuniste të Jemenit Jugor, i vetmi shtet komunist arab që ekzistonte dhe që ndihmohej nga Rusia, Kina dhe Irani, e sulmuan Omanin. Me këtë rast, qeveria britanike dërgoi forca ushtarake të të gjitha gjinive për ta mbrojtur këtë vend nga invazioni komunist. Kjo luftë ka zgjatur nga vitit 1969 deri më 1976 dhe ka qenë një lloj Vietnami britanik. 
Pasi që në këtë kohë zhvillohej lufta në Vietnam, e cila ishte shumë më e madhe, kjo e Omanit rrallë është përmendur. Nuk është që askush nuk ka ditur për të, por detajet kanë munguar dhe britanikët janë munduar të mbajnë të fshehur deri vonë. 

Filmi dokumentar ‘Operation Oman’ sjell të panjohurat e kësaj lufte duke angazhuar materiale dokumentare dhe kujtimet e oficerëve britanikë pjesëmarrës në këtë luftë. Këtu shohim se numri dhe armatimi britanik nuk ishte aq i madh. Por, profesionaliteti i ushtarakëve britanikë, përkundër kushteve të vështira, ia doli që së bashku me forcat vendase ta zbrapste sulmin dhe ta shpëtojë Omanin nga komunizmi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco