The New York Times: Biden është më antirus se Trump dhe kërkon shkatërrimin e Putinit

The New York Times: Biden është më antirus se Trump dhe kërkon shkatërrimin e Putinit

10:33, 25/04/2021

Një analizë e publikuar në gazetën e njohur amerikane, The New York Times, flet për raportet e rënduara në mes të SHBA-së dhe Putinit, kryesisht pas deklaratës së marsit të presidentit Biden, i cili e quajti Putinin vrasës dhe pas trajtimit të keq të opozitës ruse, si dhe stacionimit të forcave të shumta ruse pranë kufirit ukrainas.

Sipas kësaj gazete, presidenti rus me një superioritet moral po tenton t’u japë mësim presidentit Biden dhe liderëve të tjerë perëndimor.

Bota sipas presidentit Vlladimir Putin duket kështu: Rusia është në rritje, ndërsa Perëndimi është në kaos.

Perëndimi, i nxitur nga një president i ri amerikan, i cili është më anti-rus sesa paraardhësi i tij, kërkon shkatërrimin e Rusisë dhe të Putinit. Dhe është koha që Rusia, me një autoritet moral dhe me pak durim, të kthejë përgjigje.

“Ata mund të mendojnë se ne jemi si ata, por ne jemi të ndryshëm, me një kod tjetër gjenetik, kulturor dhe moral”, tha Putini muajin e kaluar, duke kritikuar Shtetet e Bashkuara. “Ne dimë të mbrojmë interesat tona”, shtoi ai.

Teksa grumbullon trupa pranë Ukrainës dhe përfshihet në një konflikt që intensifikohet shpejt me presidentin Biden, Putini është në prag të vendimeve që mund të përcaktojnë një fazë të re, edhe më të ashpër të presidencës së tij.

Tani në dekadën e tij të tretë në pushtet, Putini, 68 vjeç, duket më i bindur se kurrë për rolin e tij të veçantë e historik si babai i një kombi rus, duke luftuar brenda dhe jashtë vendit kundër një Perëndimi të etur, hipokrit e të prishur moralisht.

“Kjo ndjenjë e epërsisë, e përzier me arrogancën, i jep atij një ndjenjë të fuqisë dhe kjo është e rrezikshme”, tha Tatiana Stanovaya, një analiste ruse që ka studiuar presidentin Putin për vite me radhë.

Më tej, The New York Times, shkruan se presidenti Putin ka bërë lëvizje në javët e fundit që, edhe sipas standardeve të tij, sinjalizojnë një përshkallëzim në konfliktin e tij me ata që i percepton si armiq të tij, të huaj dhe të brendshëm. Prokurorët rusë ngritën padi javën e kaluar për të nxjerrë jashtë ligjit organizatën e liderit të opozitës, Aleksei A. Navalny, një hap që mund të rezultojë në valën më të fortë të shtypjes politike në Rusinë postsovjetike. Në jugperëndim të Rusisë, presidenti Putin ka mbledhur rreth 100,000 trupa, një forcë për të cilën Kremlini tha se është e përgatitur për të hyrë në Ukrainën fqinje, transmeton Demokracia.com.

Zgjedhja e presidentit Biden, pavarësisht premtimit të tij për të qenë i ashpër ndaj Rusisë, fillimisht i dha shpresë Kremlinit, thonë analistët. Ai u pa si më profesional, më i besueshëm dhe më pragmatik sesa presidenti Donald Trump, me një botëkuptim të formuar nga një epokë e Luftës së Ftohtë dhe të diplomacisë në të cilën Uashingtoni dhe Moska u angazhuan si superfuqi të barabarta me një përgjegjësi për sigurinë globale. Në bisedën e tyre të parë telefonike në janar, Biden dhe Putin ranë dakord të zgjasnin traktatin e kontrollit të armëve, i njohur si “New Start”, gjë që politika e jashtme ruse nuk kishte arritur ta bënte me presidentin Trump.

Pastaj erdhi intervista televizive në mars, në të cilën presidenti Biden pranoi kur u pyet nëse  Putin ishte një “vrasës”. Një muaj më vonë, zyrtarët rusë iu përgjigjën me një ton zemërimi anti-amerikan kësaj deklarate. Kjo u pasua nga skena e javës së kaluar e sanksioneve amerikane kundër Rusisë, e kombinuar me thirrjen e Biden për një takim samiti me Putinin.

“Kjo situatë është e papranueshme, ju nuk do të na mbështesni për muri me sanksione”, tha Dmitri Trenin, drejtori i ‘think-tankut’ rus “Qendra Carnegie Moscow”.

Rusia pozicionoi trupa pranë kufirit ukrainas, duke pretenduar se po i përgjigjej aktivitetit të shtuar ushtarak nga NATO-ja dhe Kievi. Rusia rriti edhe presionin ndaj Navalny, të cilin Kremlini e sheh si një agjent të ndikimit amerikan.

Navalny, ndërkohë, mbetet në grevë urie në një spital të burgut rus, duke këmbëngulur që ai të lejohet të vizitohet nga mjekët sipas zgjedhjes së tij.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar qeverinë ruse se “do të mbahet përgjegjëse” nëse Navalny vdes në burg. Zyrtarët perëndimorë, mbështetësit dhe aleatët e Navalny hodhën poshtë idenë që lideri i opozitës po vepron në emër të një vendi tjetër.

Se sa larg shkon Putini për të sulmuar armiqësinë e vërtetë ose të imagjinuar të Perëndimit, është ende pyetje e hapur. Megjithatë, ka shenja që Putini nuk dëshiron që tensionet me Perëndimin të dalin jashtë kontrollit.

Analistja Stanovaya thotë se është e bindur që vetë Putini është më i interesuar sesa këshilltarët e tij që të gjejë mënyra për të punuar me Shtetet e Bashkuara. Ajo e shpjegoi pikëpamjen e saj duke treguar vendosmërinë e Putinit për ta kthyer Rusinë në radhët e fuqive të mëdha.

“Putini beson shumë në misionin e tij si një figurë e madhe historike me përgjegjësi, jo vetëm për Rusinë, por edhe për sigurinë globale”, tha Stanovaya. “Ai nuk e kupton sesi ndodh që presidenti amerikan nuk ndihet në të njëjtën mënyrë”, përfundoi ajo. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco