Hakmarrje ndaj sanksioneve, Rusia dëbon 10 diplomatë amerikanë

Hakmarrje ndaj sanksioneve, Rusia dëbon 10 diplomatë amerikanë

21:57, 16/04/2021

Përveç dëbimit të 10 diplomatëve amerikanë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska do t’i përfshijë edhe tetë zyrtarë të tjerë amerikanë në listën e sanksionimit dhe do t’u japë fund aktiviteteve në Rusi të gjitha fondacioneve dhe OJQ-ve amerikane, për të cilat vendi beson se ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Rusisë

Rusia do t’u kërkojë dhjetë diplomatëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta braktisin vendin, në kundërpërgjigje ndaj vendimit të Washingtonit për t’i larguar po kaq diplomatë rusë, shkaku i aktiviteteve të pretenduara “malinje”, ka bërë të ditur të premten ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Administrata amerikane i ka zbatuar të enjten një gamë të gjerë sanksionesh Rusisë, duke përfshirë kufizimet në tregun e saj të borxhit sovran, në ndëshkim për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të shkuar, sulmet e ndërmarra kibernetike, ngacmimet në Ukrainë dhe veprimet e tjera “malinje”.

Duke folur nga një konferencë për media përkrah homologut të tij serb, Lavdor ka shpalosur përgjigjen e Rusisë.

Përveç dëbimit të 10 diplomatëve amerikanë, ai ka thënë se Moska do t’i përfshijë edhe tetë zyrtarë të tjerë amerikanë në listën e sanksionimit dhe do t’u japë fund aktiviteteve në Rusi të gjitha fondacioneve dhe OJQ-ve amerikane, për të cilat vendi beson se ndërhyjnë në çështjet e brendshme të Rusisë. Lavrov ka theksuar se Rusia është duke e shqyrtuar gjithashtu mundësinë e zbatimit të masave “të dhembshme” për bizneset amerikane në vend.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka cilësuar sanksionet amerikane si të papranueshme, ndonëse e ka lënë të hapur mundësinë për dialog.

Presidenti amerikan, Joe Biden, pas zbatimit të sanksioneve ndaj Moskës, ka bërë thirrje për zbutjen e tensioneve dhe ka thënë se është esenciale që Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini duhet t’i mbajnë të hapura linjat e komunikimit. Bideni ka propozuar gjithashtu që ai dhe Putini të mbajnë së shpejti një samit.

“Putini vazhdimisht ka thënë se është i gatshëm që të zhvillojë dialog, për aq kohë sa homologët tanë janë të gatshëm për një gjë të tillë. Në këtë aspekt, është gjë mbase pozitive se qëndrimet e dy shefave të shteteve përputhen”, ka thënë Peskov para gazetarëve, para shpalljes së kundërmasave ruse. “Qëndrimet e tyre nuk përputhen në mënyrë kategorike kur bëhet fjalë për krijimin e marrëdhënieve përfituese për të dyja anët dhe për marrjen parasysh të interesave të njëra-tjetrës”, ka shtuar ai.

Frika nga sanksionet amerikane ka shkaktuar trazime në tregjet ruse për javë të tëra dhe ka gjeneruar rënien e thukët të rublës ruse.

Marrëdhëniet Rusi-SHBA kanë prekur pikën e re më të ulët që prej pas luftës së ftohtë muajin e shkuar, pasi që Bideni ka thënë se mendon që Putini është “një vrasës” dhe pasi që Moska e thirri ambasadorin e saj në Washington për konsultime. I dërguari i Moskës ende nuk është kthyer në krye të detyrës, një muaj pas.

Kremlini ka bërë të ditur se Putini duhet të vendosë nëse do të marrë pjesë në samitin për klimë të udhëhequr nga SHBA-ja, javën e ardhshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco