Biden: Deri më 19 prill, 90% e të rriturve në ShBA kualifikohen për vaksinën

Biden: Deri më 19 prill, 90% e të rriturve në ShBA kualifikohen për vaksinën

09:34, 30/03/2021

Presidenti Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve të hënën të mos nënvlerësojnë masat e kujdesit për të frenuar pandeminë, ndërkohë që SHBA po përjeton një rritje të infektimeve në të gjithë vendin.

Në komentet e bëra nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Biden tha të hënën se deri më 19 prill, 90% e të rriturve në Shtetet e Bashkuara do të kualifikohen për vaksinën ndaj coronavirusit.

Por ai u kërkoi amerikanëve të vazhdojnë të përdorin maskën.

Ai tha se disa nga sjelljet e papërgjegjshme që shihen nëpër televizione javët e fundit nënkuptojnë më shumë raste me COVID në ditët e ardhshme.

“Tani nuk është koha të festojmë, është koha të bëjmë më të mirën si vend… Le ta çojmë luftën deri në fund”, tha ai.

Ndërkohë, Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, me emocion të dukshëm në zërin e saj, u kërkoi zyrtarëve publikë dhe të tjerëve të flasin për seriozitetin e situatës, në përpjekje për të parandaluar një valë të katërt të COVID-19.

Të dielën Shtetet e Bashkuara tejkaluan 30 milionë raste me COVID-19 në total ndërsa mesatarja shtatë-ditore e rasteve të reja ka qenë rreth 60,000 në ditë, tha ajo.

Kjo përfaqëson një rritje prej 10% krahasuar me periudhën shtatë ditore paraardhëse. Shtrimet në spital gjithashtu u rritën dhe vdekjet kanë filluar të shtohen.

“Një situatë e kobshme po afron… tani për tani jam e frikësuar”, tha zonja Walensky në një konferencë me gazetarët.

Zyrtarët përmendën shtetet që hapën ekonomitë dhe lehtësuan kufizimet e pandemisë para kohe si dhe shtimin e udhëtimeve, si arsye për keqësimin e gjendjes.

Zonja Walensky tha se trajektorja e pandemisë në Shtetet e Bashkuara dukej e ngjashme me vendet e Evropës, të tilla si Gjermania, Italia dhe Franca, të cilat kanë përjetuar një rritje të rasteve kohët e fundit.

“Ne nuk kemi luksin e mosveprimit. Për … shëndetin e vendit tonë, ne duhet të punojmë së bashku tani për të parandaluar një valë të katërt”, ka shtuar ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco