Papa: Dante Alighieri, profet i shpresës dhe poet i mëshirës

Papa: Dante Alighieri, profet i shpresës dhe poet i mëshirës

14:04, 25/03/2021

700 vite pas vdekjes së tij në Ravenna të Italisë, më 1321, me shpirtin në dhimbje nga mërgimi prej Firences së tij të dashur, Dante Alighieri, autori i kryeveprës së njohur “Komedia Hyjnore”, ende na flet.

Flet me ne, burra dhe gra të kohëve të sotme e na kërkon që jo vetëm ta lexojmë e ta studiojmë, por mbi të gjitha ta dëgjojmë dhe ta imitojmë në udhën e tij drejt lumturisë,drejt Dashurisë së pafund e të amshuar të Zotit. Kështu shkruan Papa Françesku në Letrën Apostolike “Candor lucis aeternae - Shkëlqim i jetës së amshuar”, botuar sot, 25 mars, në Solemnitetin e Lajmërimit të Zotit e kushtuar atij, që quhet “poeti hyjnor”.

Data nuk është e rastit: misteri i Mishërimit, që buron nga “Ja ku jam” e shën Marisë, është, në fakt, - shpjegon Papa – “qendra e vërtetë frymëzuese dhe bërthama thelbësore” e krejt “Komedisë Hyjnore”, e cila realizon “hyjnizimin”, ose “shkëmbimin e mrekullueshëm”ndërmjet Zotit, që “hyn në historinë tonë duke u mishëruar”, dhe njerëzimit, që “përfshihet në Zotin, tek i cili gjen lumturinë e vërtetë”.

E ndarë në nëntë paragrafe, Letra Apostolike hapet me një paraqitje të shkurtër të mendimit të Papëve të mëparshëm mbi Danten. Pastaj, Papa Françesku ndalet në jetën e Alighieri-t, duke e quajtur “paradigmë të gjendjes njerëzore” e duke nënvizuar “rëndësinë dhe pavdekshmërinë” e veprës së tij...

Duke uruar, së fundi, mësuesit, që arrijnë ta “komunikojnë me pasion mesazhin dantesk dhe thesarin kulturor, fetar e moral” të veprës së tij, Françesku kërkon që kjo “trashëgimi” të mos mbetet e mbyllur në klasat e shkollës dhe të universitetit, por të bëhet e njohur dhe të përhapet falë impenjimit të bashkësive të krishtera dhe të shoqatave kulturore. U bëhet thirrje për këtë edhe artistëve: Françesku i inkurajon “t’i japin formë poezisë së Dantes në udhën e bukurisë”, në mënyrë që të përhapin “mesazhe paqeje, lirie dhe vëllazërimi”. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco