Qeveria e Maqedonisë së Veriut diskuton sot për vonimin e vaksinave nga COVAX

Qeveria e Maqedonisë së Veriut diskuton sot për vonimin e vaksinave nga COVAX

09:33, 16/03/2021

Shkup -  Në mbledhjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut sot pritet të diskutohet për çështjet lidhur me vaksinat e mekanizmit Covax. Këtë dje e paralajmëroi Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, e cila tha se pret të diskutohet  lidhur me marrjen, arritjen dhe plotësimin e kushteve sa u përket vaksinave nga mekanizmi COVAX.

“E di se të gjitha kushtet që janë kërkuar në pjesën e mekanizmit COVAX si shtet i kemi përmbushur. Që në fillim të këtyre bisedimeve rreth përdorimit të mekanizmit jemi përmendur si shtet që i plotëson kushtet”, ka deklaruar ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.

Nga GAVI, Aleanca për vaksina, përgjegjëse për programin COVAX, dje për MIA-n nuk u përgjigjën saktë nëse Maqedonia e Veriut i plotëson kushtet e theksuara që të marrë vaksina. Aleanca thekson se është në kontakt me të gjithë pjesëmarrësit në COVAX për shpërndarjen e vaksinave, por pa më shumë detaje rreth procesit në lidhje me Maqedoninë e Veriut.

“Në mënyrë që dozat t’u dorëzohen pjesëmarrësve të programit përmes këtij raundi të parë të dorëzimit, duhet të jenë të pranishme disa pjesë kritike, përfshirë konfirmimin e kritereve kombëtare rregullatore për autorizim në lidhje me dërgesën e vaksinave, marrëveshje për kompensim (për të gjithë pjesëmarrësit me secilin prodhues), planet kombëtare për vaksinim si dhe faktorët logjistikë siç janë licencat për import dhe eksport, thanë për MIA-n nga GAVI.

Nga GAVI, Aleanca për vaksina, përgjegjëse për programin  COVAX, përmes së cilës dërgohen vaksinat në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, dje thanë se qeveritë janë të informuara për raundin e parë të shpërndarjes se në cilën datë do t’i marrin dozat, ndërsa afatet duhet të njoftohen publikisht së shpejti.

Ndërsa priten vaksinat, për vaksinim deri më tani janë paraqitur gjithsej 137 022 persona, prej të cilëve 80.201 përmes faqes së internetit “vakcinacija.mk”, ndërsa 56.821 përmes mjekut familjar.

Nga vaksinat të cilat kanë mbërritur në vend, deri tani janë vaksinuar 4782 punonjës shëndetësor.

Numri i të infektuarve të rinj edhe më tej lëviz  në rreth 23 për qind e të testuarve. Nga 1.258 teste janë regjistruar 284 raste të reja me Covid. Në të njëjtën kohë, janë shëruar 449 pacientë, ndërsa kanë vdekur 21 persona.

“Njëzet e një pacientët e vdekur janë të moshës prej 52 deri 93 vjeç, edhe atë tetë nga Shkupi, dy nga Prilepi dhe Ohri, dhe nga një nga Kumanova, Tetova, Shtipi, Strumica, Struga, Koçani, Negotina, Gjevgjelia dhe Probishtipi. Të gjithë pacientët vdiqën në spital, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid në Maqedoni të Veriut që nga fillimi i epidemisë është 112.930, numri i pacientëve të shëruar është 98.133, numri i të vdekurve është 3.340 dhe numri i rasteve aktive është 11.457.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco