Përfaqësues të lartë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga Kryeministri, Zoran Zaev, Zëvendës Kryeministri për Çështjet Ekonomike dhe Koordinimin me Sektorët Ekonomikë, Fatmir Bytyqi, Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, Ministri i Transportit dhe Rrugëve, Blagoj Bochvarski, si dhe Kryetari i Komunës Gazi Baba, vizituan dje East Gate Mall në Shkup.
Në këtë takim ata u priten nga Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, Zëvendës Presidenti i Grupit BALFIN për Maqedoninë dhe Kosovën, Arsim Papraniku, dhe Drejtori Ekzekutiv i Skopje East Gate, Igor Davkov.
Ata i treguan Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të tjerë të Qeverisë rreth ecurisë së deri tanishme të punimeve, si dhe i informuan në lidhje me strukturën, madhësinë, qiramarrësit dhe aktivitetet që pritet të zhvillohen në të.
Kryeministri Zaev shprehu kënaqësinë e tij që është një ndër vizitorët e parë në East Gate Mall, në qendrën tregtare më moderne në Ballkan, që ka tërhequr emra të rëndësishëm markash nga e gjithë bota.
‘Ne jemi krenarë që East Gate Mall do të sjellë marka të njohura në vendin tonë, 250 marka vendase dhe ndërkombëtare. Kjo do të thotë krijim i vendeve të reja të punës, që përkojnë me përpjekjet tona për të krijuar kushte për vende pune më të mirë-paguara dhe tërheqjen e investimeve të reja.’ - deklaroi Kryeministri Zaev.
Presidenti i Grupit BALFIN tha para mediave se: ‘Qendra tregtare pritet të hapet në Tetor të këtij viti. Jam shumë i lumtur me ecurinë e deritanishme të punimeve. East Gate do të jetë një nga qendrat tregtare më moderne dhe më të mëdha në rajonin e Ballkanit perëndimor. Ne jemi krenar që jemi një ndër investitorët më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut dhe ky nuk do të jetë investimi i fundit i Grupit BALFIN në Maqedoninë e Veriut.’
Drejtori Ekzekutiv i SkopjeEast Gate, Igor Davkov deklaroi: ‘East Gate Mall është një qendër tregtare e gjeneratës së re që po ndërtohet në një sipërfaqe totale prej 160,000m2 dhe e organizuar në 5 kate me sipërfaqe shërbimi 57,000m2 për rreth 250 dyqane të ndryshme. Investimi i përgjithshëm i SkopjeEast Gate është 350 milion euro, ndërkohë që vetëm investimi për qendrën tregtare East Gate Mall është 103 milionë euro. ‘
East Gate Mall është konceptuar si një ritëm i ri urban i qytetit. Si qendra më e madhe e blerjeve, kulturës dhe argëtimit në rajon, East Gate Mall do të jetë vendi ku do të shijohet një përvojë ndryshe në blerje me më shumë se 250 marka e dyqane.
© SYRI.net