SHBA. do të bashkohet me Australinë, Indinë, Japoninë në samitin e parë të Quad

SHBA. do të bashkohet me Australinë, Indinë, Japoninë në samitin e parë të Quad

15:35, 10/03/2021

Presidenti amerikan Joe Biden do të zhvillojë samitin e tij të parë këtë të premte me liderët e Australisë, Japonisë dhe Indisë. Samiti ka në fokus diskutimet për të balancuar rritjen e fuqisë ushtarake dhe ekonomike të Kinës.

Presidenti amerikan Joe Biden do të zhvillojë bisedime të përbashkëta me udhëheqësit e Australisë, Indisë dhe Japonisë si pjesë e një aleance në zhvillim. Mediet amerikane shkruajnë se ky takim i katërshes është një përpjekje për të balancuar rritjen e fuqisë ushtarake dhe ekonomike të Kinës.

Takimi do të jetë virtual dhe do të mbahet të premten. Ky është një nga samitet e para të presidentit Biden që nga marrja e detyrës.

Samiti Quad, ose katërshja, ka filluar në vitin 2007 nga kryeministri i atëhershëm i Japonisë, Shinzo Abe, i cili ishte i alarmuar nga rritja e ekonomiko – ushtarake e Kinës.

“Presidenti Biden e ka bërë të qartë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe partnerët në Indo-Paqësor” u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se takimi ka për qëllim të dërgojë “një sinjal shumë të fortë të kauzës dhe qëllimit të përbashkët”.

Ky mesazh u përsërit nga kryeministri australian Scott Morrison, i cili e quajti takimin e ardhshëm “një moment historik“.

Japonia, nga ana e saj, ka thënë se kryeministri Yoshihide Suga foli me kryeministrin indian Narendra Modi, të enjten, dhe shprehu alarmin për “përpjekjet e njëanshme të Kinës për të ndryshuar status quo-në në Detin e Kinës Lindore dhe Jugore“.

Më herët, në 2020-ën, ishte ish-sekretari amerikan Mike Pompeo që zhvilloi një takim me liderët e vendeve respektive.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco