Rishfaqet epidemia e Ebolës

Rishfaqet epidemia e Ebolës

18:01, 16/02/2021

Ndërsa bota përballet me pandeminë e kovidit-19, në disa vende të Afrikës po përhapet shpejt virusi i vjetër i Ebolës.

Disa shtete afrikanoperëndimore, si Guineja, Bregu i Fildishtë apo edhe Kongoja më në qendër të kontinentit, raportojnë raste të reja infeksionesh dhe vdekjesh nga sëmundja ngjitëse.

Sipas përfaqësuesit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Guine, nevojitet ndërhyrje e shpejtë.

“Gjithmonë ka arsye për frikë kur të rishfaqet një sëmundje kaq serioze sa Ebola. Kemi nxjerrë mësime me epideminë gjatë 3 viteve të shkuara, por situata me kovidin e komplikon gjithçka.”

Epidemia e Ebolës arriti kulmin në Afrikën Perëndimore midis viteve 2013 dhe 2016, duke vrarë mbi 13 mijë persona vetëm në shtetet e Guinesë, Liberisë dhe Sierra-Leones.

Guineja, përpos Ebolës dhe pandemisë së kovidit-19 që ka pushtuar botën, po matet edhe me tri epidemi të tjera, siç janë ethet e verdha, fruthi dhe poliomieliti.

“Kemi avancuar shumë në aspektin teknologjik dhe shkencor nga viti 2016, sidomos për sa i përket vaksinave, testeve të shpejta që përdoren më lehtë në terren dhe metodave terapeutike, prandaj jemi optimistë se nuk kemi për të pasur një fatkeqësi të asaj shkalle që patëm herën e fundit.”

Virusi i ebolës u diktua për herë të parë në vitin 1976 në Kongo dhe mban emrin e një lumi.

Sëmundja vret mbi 25 për qind të personave që infekton dhe përhapet nga kontakti me të sëmurin ose nga objektet që ai ka prekur, duke shkaktuar ethe dhe hemorragji të brendshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco