Kaos për karantinën në Australi, pronarët e hoteleve heqin dorë nga skema

Kaos për karantinën në Australi, pronarët e hoteleve heqin dorë nga skema

17:42, 16/02/2021

Sistemi i karantinës në Australi është futur në kaos, kjo pasi pronarët e disa hoteleve kanë hequr dorë duke u larguar nga skema bashkëpunuese me qeverinë. Pronarët kanë thënë se shpërthimet e përsëritura të coronavirusit dhe karantinimi i udhëtarëve në hotelet e tyre po ul reputacionin.

Janë me dhjetëra hotele si ai në Sydney, Hilton, InterContinental dhe Melbourne’s Marriott që nuk do të jenë më pjesë e skemës.

Kjo situatë ka rritur edhe presionin mbi udhëheqësit të cilët po kërkojnë një tjetër alternativë për australianët që mbërrijnë nga vendet ku ka raste të konfirmuara me variantet e reja të coronavirusit.

Disa ekspertë kanë kërkuar që të ngrihen kampe Covid-i larg qendrave të banuara ku udhëtarët që kthehen në Australi të karantinohen për 14 ditë.

Megjithatë kryeministri Scott Morrison ngul këmbë që hotelet të mbeten objektet kryesore të karantinës për mijëra udhëtarë që hyjnë në Australi çdo javë.

Një rast i zbuluar me variantin britanik në hotelin Holiday Inn në Melburn, detyroi gjithë shtetin e Victorias të futet në një bllokim pesë ditor për të frenuar përhapjen e virusit.

Pronarët e hoteleve ranë dakord të ndihmonin në fillim dhe të bëheshin pjesë e skemës, por së fundmi ata thonë se nuk e prisnin që situata të zgjaste kaq shumë dhe se kjo mund të sjellë dëmtim të emrit të hoteleve që ata posedojnë.

Ndërkaq, një biznesmen dëshiron të krijojë një qytet të përkohshëm pranë aeroportit në Geelong që mund të strehojë rreth 1.000 udhëtarë, por nuk dihet nëse propozimi i tij do të vihet në zbatim. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco