Autobusi bie në kanalin e ujit, së paku 40 të vdekur në Indi

Autobusi bie në kanalin e ujit, së paku 40 të vdekur në Indi

16:59, 16/02/2021

Së paku 40 persona kanë humbur jetën pasi autobusi me të cilin po udhëtonin ra në një kanal uji në rajonin qendror të Indisë, Madhya Pradesh.

Rreth 60 persona ndodheshin në autobus kur mjeti doli nga ura dhe ra në një kanal të martën në distriktin Sidhi, shkruan BBC.

Zyrtarët thanë se shtatë persona, përfshirë vozitësin, arritën të notojnë deri në bregun e kanalit, ndërsa ekipet e shpëtimit janë duke i kërkuar trupat e pasagjerëve të tjerë.

Dëshmitarët thanë se vozitësi e humbi kontrollin ndaj autobusit dhe autobusi e goditi anësoren e urës para se të binte në kanalin Sharda.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa u raportua se dy ministra janë duke shkuar në vendin e aksidentit për t’i vëzhguar përpjekjet për shpëtim.

Modi gjithashtu njoftoi se qeveria do të ofrojë dëmshpërblim për familjet e personave të vdekur dhe personave të lënduar në këtë aksident.

Autobusët përdoren shumë për transportimin e udhëtarëve në Indi, por operatorët shpesh nuk i respektojnë rregullat e sigurisë dhe bartin më shumë pasagjerë sesa kapaciteti i lejuar.

Rreth 150.000 njerëz vdesin në rrugët e Indisë çdo vit, kryesisht për shkak të shpejtësisë së madhe dhe vozitjes së pakujdesshme. Kjo është shifra më e lartë e viktimave në botë.. Mbi 350.000 të tjerë mbesin me aftësi të kufizuara çdo vit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco