Franca lufton radikalizmin islamik me bastisje e ligje

Franca lufton radikalizmin islamik me bastisje e ligje

22:28, 15/02/2021

Çrrënjosja e radikalëve është shndërruar në prioritet të presidentit, Emmanuel Macron, pas sulmeve të përgjakshme terroriste në vend, përfshirë rastin e ekzekutimit me prerje koke të një mësuesi në periferi të Francës gjatë muajit tetor. Ky sulm ka ndodhur pak kohë pas një sulmi tjetër të përgjakshëm, në një kishë në Nice

Me dhjetëra policë francezë behën në një shkollë të vogël private në Paris, i bllokuan 92 nxënës brenda klasave, fotografuan çdo cep të mundshëm, përfshirë brendinë e një frigoriferi, dhe e morën në pyetje drejtoreshën.

“Ishte sikur po e kryenin një operacion droge”, ka thënë Hanane Loukili, drejtoresha dhe bashkëthemeluesja e shkollës së mesme dhe të lartë MHS, duke e kujtuar ngjarjen e 17 nëntorit.

Louikili nuk e dinte asokohe, ama një ekip nga Njësiti për Luftimin e Islamit Radikal, apo CLIR, kishte ardhur për inspektim. Operacioni mbërtheu shkolla, dyqane, klube dhe xhami për çrrënjosjen e “radikalizmit”. Brenda një jave, duke u dridhur Loukili i informoi nxënësit se shkolla e tyre do të mbyllej.

Loukili ka insistuar se nuk është radikale, por operacionet e tilla e ilustrojnë shtrirjen e përpjekjeve franceze për ta luftuar ekstremizmin teksa ligjvënësit po përgatiten për të votuar të martën rreth ligjit që synon eliminimin e tij.

Shkolla MHS e kishte një profil të pazakontë. Ishte shekullare dhe arsimore, por ua lejonte nxënëseve që të bartnin shami në klasa – gjë kjo që është e ndaluar në shkollat publike të Francës – dhe të luteshin gjatë pushimeve. Për dallim prej shkollave të tjera myslimane, ku mbulesat janë gjithashtu të lejuara, MHS-ja nuk ofronte mësime fetare.

Loukili dhe të tjerët në shkollë pretendojnë se kjo e bënte atë një cak të përkryer, në atë që disa e vlerësojnë si “klimë të papërshtatshme për myslimanët në Francë”.

Çrrënjosja e radikalëve është shndërruar në prioritet të presidentit Emmanuel Macron, pas sulmeve të përgjakshme terroriste në vend, përfshirë rastin e ekzekutimit me prerje koke të një mësuesi në periferi të Francës gjatë muajit tetor. Ky sulm ka ndodhur pak kohë pas një sulmi tjetër të përgjakshëm, në një kishë në Nice.

Ligji i propozuar synon që ta riankorojë shekullarizimin në një Francë në ndryshim, ku myslimanët janë përherë më të dallueshëm dhe islami – besimi i dytë më i madh në vend – po bëhet më i zëshëm. Legjislacioni, që pritet të kalohet në votimin e së martës në Dhomën e Ulët të Parlamentit, do ta zgjerojë gjithashtu shtypjen.

Bashkë me ligjin e kontestuar nga disa myslimanë, politikanë dhe të tjerë, inspektimet e tilla rrezikojnë që ta thellojnë klimën e dyshimit mes myslimanëve në një vend ku shumica e besimtarëve nuk ushqejnë qëndrime ekstremiste.

Louikili, një myslimane, është më se e vetëdijshme për problemet me të cilat ballafaqohet shkolla e saj, por ka mohuar fuqishëm për “Associated Press” çfarëdo lidhjeje me radikalizmin në shkollën që është hapur më 2015.

Vetëm më 9 dhjetor, Loukili ka mësuar se situata e saj është dukshëm më e rëndë sesa që mendonte. Një deklaratë nga policia dhe zyra e prokurorisë sugjeronte se mbyllja e shkollës ishte pjesë e përpjekjes së shtuar për “luftimin e të gjitha formave të separatizmit” – fjalë kjo e përdorur nga Macroni për ekstremistët që i rrezikojnë vlerat kombëtare.

Inspektimet e ngjashme si në shkollën e Loukilit janë ndërmarrë edhe gjetkë. Vetëm gjatë dhjetorit, ekipet kanë ndërmarrë 476 bastisje dhe kanë mbyllur 36 lokacione të cilësuara si të dyshimta, kanë treguar të dhënat e ministrisë së Jashtme. Që nga nëntori i 2019-s, 3.881 lokacione janë inspektuar dhe 126 janë mbyllur, kryesisht biznese të vogla si dhe dy shkolla.

Problemet me shkolla kanë nisur më se një vit më parë, me ngritjen e shqetësimeve të sigurisë të ndërlidhura kryesisht me ndërtesat e mëdha.

Nxënësi 17-vjeçar Omar është vetëm njëri prej bashkëmoshatarëve të shumtë që protestuan të dielën në Paris kundër ligjit të propozuar.

Një nënë që ka pasur vështirësi për t’u gjetur shkolla të tjera fëmijëve të saj, pas mbylljes së shkollës, ka thënë se e bija 15-vjeçare, e cila bart shami, ka vazhduar mësimet në një shkollë myslimane ku lejohet bartja e mbulesave dhe ku djemtë janë të veçuar nga vajzat si në klasa ashtu edhe në salla të drekimit.

Jean-Riad Kechaou, arsimtar i historisë që punon në Chelles, ka thënë se e sheh zemërimin në sytë e nxënësve të tij myslimanë.

“Është ky reflektim i stigmatizimit të vazhdueshëm bazuar në besimin e tyre”, ka thënë ai. “Në kokën e një adoleshenti 12, 13, 14, 15-vjeçar, gjithçka ngatërrohet dhe ajo që buron është se besimi i tyre është njollosur tërësisht dhe gishtat e fajësisë drejtohen kah ata”. \ AP

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco