Ligjvënësit në shtetin lindor të ShBA-së, Virginia, kanë votuar pro heqjes së dënimit me vdekje nga sistemi i drejtësisë.
Të premten, anëtarët e Dhomës së Delegatëve e ndoqën shembullin e Senatit për ta përkrahur shfuqizimin e dënimit të rëndë, duke ia hapur rrugën guvernatorit Ralph Northam që ta nënshkruajë ligjin.
Votimi për heqjen e këtij ligji erdhi në kohën kur në Shtetet e Bashkuara është ringjallur debati rreth ekzekutimit të të burgosurve, shkruan BBC.
Ish-presidenti Donald Trump e rifilloi këtë praktikë në nivel federal pas një pauze 13-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe u ekzekutuan 13 të burgosur, përfshirë gjashtë ekzekutime pas zgjedhjeve, pavarësisht ankesave të shumta në gjykata.
Gjatë fushatës zgjedhore, presidenti i ri amerikan, Joe Biden, premtoi se do të punojë për t’i dhënë fund dënimit me vdekje në nivel federal dhe i nxiti shtetet që ta ndjekin këtë shembull.
Kombet e Bashkuara thonë se 170 nga 194 venet anëtare të saj e kanë larguar dënimin me vdekje nga sistemi ligjor, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdimisht janë përballur me kritika ndërkombëtare për dështim në arritjen e këtij qëllimi.
Sipas një sondazhi të bërë nga grupi Gallup, përkrahja e amerikanëve për dënimin me vdekje ka rënë nga 80 për qind, sa ishte më 1990, në vetëm 55 për qind në vitin 2020.
© SYRI.net