Japonia ‘hyn mik’ për të ndërmjetësuar tensionet mes SHBA-së dhe Iranit

Japonia ‘hyn mik’ për të ndërmjetësuar tensionet mes SHBA-së dhe Iranit

11:07, 03/02/2021

Ministri i Jashtëm i Japonisë, Toshimitsu Motegi deklaroi se ka ndjekur zhvillimet e reja në lidhje me kthimin në marrëveshjen bërthamore të SHBA-së dhe Iranit dhe se dëshiron që të bëjë përpjekje diplomatike aktive mes dy vendeve.

Ministri Toshimitsu në konferencën për media iu përgjigj pyetjes nëse Japonia do të ndjekë diplomaci aktive në zgjidhjen e problemeve të programit bërthamor të Iranit.

Toshimitsu gjatë përgjigjes përkujtoi fjalët e presidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken se "Nëse Irani kthehet në marrëveshjen bërthamore edhe SHBA do të kthehet. Do ta ndjekim procesin në vazhdim".

Ai tha se "Japonia mbështet marrëveshjen bërthamore duke kontribuar për të forcuar sistemin për parandalimin e çarmatimit dhe për të siguruar stabilitetin në Lindjen e Mesme. Shpresoj që Irani t'i përmbahet marrëveshjes bërthamore dhe SHBA-ja të kthehet në marrëveshje".

"Ne si Japoni dëshirojmë të bëjmë përpjekje aktive diplomatike duke u bazuar në aleancën tonë me SHBA-në dhe me miqësinë tradicionale me Iranin", tha Toshimitsu.

Në vitin 2015 u nënshkrua një marrëveshje mes Iranit, SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Kinës për të kontrolluar dhe rregulluar aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Me ardhjen në detyrë të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Ëashingtoni më 8 maj 2018 u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në mënyrë të njëanshme dhe përsëri filloi vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit.

Pas kësaj Irani më 5 janar 2020 pezulloi të gjitha angazhimet e saj në marrëveshje dhe ndërmori një sërë hapash si kundërpërgjigje, përfshirë edhe pasurimin e uraniumit në nivel të lartë.

Ndërsa administrata e Bidenit ka njoftuar se nëse Irani përmbush angazhimet e saj në marrëveshje edhe SHBA-ja do të kthehet në marrëveshje.

Ndërkaq, Irani deklaroi se SHBA-ja duhet të kthehet e para në marrëveshje dhe t'i heq sanksionet pasi që Washingtoni ishte i pari që u tërhoq nga marrëveshja bërthamore.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco