Zjarr në spitalin për Covid-19 në Rumani, vdesin katër pacientë

Zjarr në spitalin për Covid-19 në Rumani, vdesin katër pacientë

08:50, 29/01/2021

Katër pacientë kanë mbetur të vdekur nga një zjarr që shpërtheu të premten në një spital për Covid-19 në kryeqytetin rumun, Bukuresht, bënë të ditur zyrtarët. Ky ishte zjarri i dytë vdekjeprurës në një spital të Rumanisë brenda më pak se tre muajve.

Zjarri, që tashmë është shuar nga zjarrfikësit, shpërtheu rreth orës 3 të mëngjesit në ndërtesat e spitalit “Matei Bals”. Nga flakët u prekën katër dhoma, ndërsa prokurorët janë duke e hetuar shkakun e zjarrit.

Ndërtesa e spitalit ku shpërtheu zjarri është ndërtuar në vitin 1953 dhe ka qenë tërësisht e rinovuar, tha menaxheri i spitalit. Ky është një nga spitalet më të mëdha për Covid-19 në Rumani, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Zyrtarët e spitalit thanë se pacientët e evakuuar ishin raste mesatare dhe serioze të infeksionit dhe shumica ishin duke u trajtuar me oksigjenoterapi. Rreth 44 pacientë janë dërguar në spitale tjera të Bukureshtit, ndërsa të tjerët janë vendosur në ndërtesa tjera të spitalit “Matei Bals”.

“Asnjëri nga pacientët e evakuuar nuk ka të djegura, nga informatat që kemi tash për tash”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Raed Arafat.

Ministri i Shëndetësisë, Vlad Voiculescu, tha: “Është e qartë se këtu është një problem. Po flasim për institutin më të financuar në vend. Është gjithashtu spital që ka trajtuar shumë pacientë, ka qenë i mësuar me kapacitetin.”

Në nëntor të vitit të kaluar, dhjetë persona mbetën të vdekur nga një zjarr që shpërtheu në repartin e kujdesit intensiv në një spital të rajonit Piatra Neamt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco