OKB-ja fajëson zyrtarisht Italinë për vdekjen e 200 emigrantëve në vitin 2013

OKB-ja fajëson zyrtarisht Italinë për vdekjen e 200 emigrantëve në vitin 2013

12:30, 28/01/2021

Italia ka dështuar në detyrën e saj për të mbrojtur jetën njerëzore duke shtyrë misionin shpëtimtar për anijen që u fundos në Mesdhe, ka gjetur Komiteti i OKB-së për Të Drejta të Njeriut.

 

Më shumë se 200 njerëz që ndodheshin në atë anije u fundosën më 11 tetor 2013 pasi iu injoruan kërkesat e vazhdueshme për ndihmë, sipas këtij komiteti që u soll para drejtësisë nga të mbijetuarit sirianë dhe palestinezë që kishin humbur më të afërmit e tyre.

Anija mbante 400 njerëz, shumë prej tyre sirianë, kur u nis nga Libia. Ajo dërgoi thirrje për ndihmë pasi ishte qëlluar nga një anije tjetër.

Sipas hetuesve, autoritetet italiane i ishin përgjigjur thirrjeve nga anija duke i referuar te autoritetet malteze. Pesë orë më vonë një anije malteze kishte mbërritur në vend-ngjarje, por kjo ishte shumë vonë, raporton The Guardian, përkthen në shqip Periskopi.

“Nëse autoritetet italiane menjëherë do të drejtonin anijet e saj pas thirrjes, do të kishte mbërritur te anija e emigrantëve dy orë para se ajo të fundosej,” tha anëtarja e komitetit Helene Tigroudja.

“Aksidenti ndodhi në ujërat ndërkombëtare brenda zonës malteze të kërkimit dhe shpëtimit por lokacioni ishte më i afërt me Italinë.”

Komiteti tha se Italia kishte detyrime në ligjin ndërkombëtar që të mbronte jetën e kujtdo që ndodhej në probleme në det dhe që të mbështeste misionet e shpëtimit.

Ky komitet i bëri thirrje shtetit italian që të zhvillonte një hetim të pavarur dhe të përndiqte penalisht këdo që ishte përgjegjës.

Më shumë se 1 mijë persona kanë vdekur ose janë zhdukur duke provuar të mbërrinin në Evropë nga Afrika e veriut në vitin 2020 dhe 480 të tjerë kanë vdekur apo janë zhdukur nga bregu perëndimor afrikan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco