Partia Republikane në luftë me vetveten

Partia Republikane në luftë me vetveten

11:02, 27/01/2021

Një luftë e ftohtë është në zhvillim e sipër përbrenda Partisë Republikane, teksa anëtarët kanë filluar të peshojnë se sa ish-presidenti Donald Trump dhe trashëgimia peshojnë në të ardhmen e subjektit.

Disa syresh nën udhëheqjen e Kongresit kanë sinjalizuar vullnet për ta çuar partinë përtej Trumpit, me anë të impiçmentit dhe dënimit të tij. Nga ana tjetër, aleatë të ish-presidentit po e proklamojnë besnikërinë e tyre ndaj tij nëpër mediat konservatore, si dhe në organizatat shtetërore dhe lokale të partisë. Megjithëkëtë, republikanët e tjerë druajnë se fuqia e Trumpit mund ta dëmtojë partinë në zgjedhjet e mesmandatit dhe t’ua vështirësojë gjasat elektorale me anë të qasjes së tij populiste-konservatore.

“Rezultati është një Parti Republikane e ngërthyer në luftë me vetveten se kush do ta përcaktojë shtegun e saj përpara – dhe, ç’është më e rëndësishmja, kush do të duhej t’i mbante frerët e pushtetit përbrenda”, ka shkruar agjencia amerikane CNN, në një analizë të hollësishme. Sipas agjencisë, uniteti i partisë lë hapësirë për rikriminime, kulmim ky i një përplasjeje të kahershme midis pjesës qendrore të partisë dhe shtresës së saj prijëse që ka qenë në krye gjatë presidencës Trump, kur të paktë republikanë e kishin guximin “për të shkelur mbi të”.

 

“Republikanët po hyjnë në një botë të egër dhe po kërkojnë dëshpërimisht që do të drejtojnë diku gishtin e fajësisë”, ka thënë për CNN-in, Erick Erickson, komentues konservator dhe radiomoderator. “Atyre do t’u duhet që të krijojnë hapësirë për njëri-tjetrin apo t’i lejojnë demokratët që t’i kapërcejnë në mesmandat”.

Mungesa e unitetit paraqet një kërcënimin më ekzistencial për republikanët.

Në ditët e fundit në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi e kishte ngritur idenë e krijimit të një partie të re politike, ka thënë një këshilltar i lartë i Trumpit për CNN-in. Derisa të tjerët përreth tij e refuzuan si joserioze këtë skemë për krijimin e një “partie patriotike”, potenciali i çarjes mes votuesve të qendrës së djathtë peshon rëndë mbi republikanët.

Erickson ka thënë se ndasia përbrenda partisë nuk është vetëm filozofike por e fjalëpërfjalshme, me ç’rast të dyja palët kanë dyshimet e tyre lidhur me vetë infrastrukturën e Partisë Republikane.

Për republikanin Adam Kinzinger, kongresist nga Illinoisi dhe njëri prej vetëm 10 republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve që kanë votuar për impiçment, partia ndodhet në mes të një beteje të ashpër për identitetin.

“Nuk mendoj se jemi në një betejë”, ka thënë Kinzinger për CNN. “Dhe mund të jetë një betejë ajo që përnjëmend duhet të ndodhë për partinë tonë ashtu që, le të themi, të dimë se për çfarë ngrihemi? Jo kur vjen puna te politika, por për pak a shumë gjithçka”.

Për problemet aktuale të partisë fajësohen republikanët që janë të gatshëm ta hedhin Trumpin “nga anija” pas zgjedhjeve. Në këtë mes përfshihen senatori Mitch McConnell dhe përfaqësuesja Liz Cheney, që të dy liderë të partisë në Kongres që e dënuan publikisht Trumpin për veprimet e tija në rastin e kryengritjes në Capitol, më 6 janar.

Cheneyi ishte në mesin e republikanëve të Dhomës që votoi për impiçment, në fillim të muajit. Për këtë votë, disa prej aleatëve më të zëshëm të Trumpit po kërcënojnë që t’ia heqin asaj rolin e udhëheqëses.

Ndërkohë McConnelli vetëm ka shprehur gatishmërinë e tij për të votuar për dënimin e Trumpit në Senat, por kjo gjë ka qenë e mjaftueshme për t’iu nënshtruar presionit të disa kolegëve partiakë.

Procesi i impiçmentit kundër Trumpit në Senat vetëm sa ka theksuar ndasitë përbrenda partisë. Në kohën kur ish-presidenti pritet që shumë shpejt, më 9 shkurt, të ballafaqohet me pasojat e nxitjes së turmës nëpërmjet një fjalimi ndezës për të marshuar drejt Capitolit, në rastin më të rëndë të sulmit ndaj demokracisë së Shteteve të Bashkuara.

Në impiçmentin e 13 janarit në Dhomën e Përfaqësuesve, dhjetë republikanë u ishin bashkuar demokratëve në votimin kundër Trumpit. Në Senat, demokratëve do t’u duhet përkrahja e 17 republikanëve për ta dënuar ish-presidentin. Por kjo gjë, përkundër shprehjeve të mëhershme të gatishmërisë nga disa demokratë, nuk pritet që të ndodhë.

“Senati ka ndryshuar prejse jam unë aty, por jo kaq shumë”, ka thënë të martën presidenti amerikan, Joe Biden, në komentin e parë lidhur me impiçmentin që nga ardhja në detyrë. Ai ka thënë gjatë një interviste për CNN-in se ky proces “duhet të ndodhë”.

Trumpi është zyrtari i parë federal që i nënshtrohet dy herë impiçmentit brenda një mandati presidencial. Dhe i vetmi që ballafaqohet me gjykim pas përfundimit të detyrës. Po qe se dënohet, Trumpit mund t’i merret e drejta për të kandiduar, siç ka paralajmëruar, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në vitin 2024. \ Analizë e CNN-it

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco