Vijon situata e rënduar në Shkodër, liqeni vetëm 10 centimetra larg kuotës maksimale

Vijon situata e rënduar në Shkodër, liqeni vetëm 10 centimetra larg kuotës maksimale

22:51, 11/01/2021

Situata e krijuar nga reshjet e dendura të shiut në Shkodër vijon të jetë e rënduar. Sipas të dhënave të fundit nga prefektura e këtij qyteti mësohet se liqeni i Shkodrës është shumë pranë pikës kritike. Hidrometri Liqenit të Shkodrës në orën 17.30, shënoi kuotën 8.60 m, ndërkohë që kuota maksimale është 8.70 m. Po kështu edhe lumi Drin, i cili deri në orën 17:30 shënoi kuotën 7.07m, ndërsa kuota maksimale është 7.50 m.

Deri më tani në Bashkinë e Shkodrës rezultojnë të përmbytura 1893 hektarë sipërfaqe totale.

Ndërkaq vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta dhe kalimi mund të kryhet vetëm me mjete të larta, ndërsa niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80cm. Edhe ujësjellësi Oblika 1 vazhdon të jetë jashtë funksionit, si pasojë e përmbytjeve.

Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatërat Shirq me Darragjat.

Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë, si edhe në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme.

Po kështu gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Kir në vendin e quajtur Bardhaj, fshati Bardhaj. Gjithashtu ka rritje të nivelit të ujit nga Liqeni i Shkodrës, në zonën e Livadeve dhe Dobraç.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco