Francë: Rrëmbimi i trashëgimtares milionere, një hakmarrje nga ish-menaxheri Shtëpia e Jacqueline Veyrac, pronares 80 -vjeçare të hotelit me pesë yje, Grand Hotel në Kanë.

Francë: Rrëmbimi i trashëgimtares milionere, një hakmarrje nga ish-menaxheri

08:51, 04/01/2021

Paris - Një menaxher restoranti italian, një ish-ushtar i fortë britanik dhe një detektiv privat janë midis 13 personave që dalin në gjyq në Francë të hënën për rrëmbimin e një trashëgimtareje milionere hoteli.

Jacqueline Veyrac, pronarja 80-vjeçare e Grand Hotel me pesë yje në Kanë dhe restorantit luksoz në bregdetin La Reserve të Nice aty pranë, u rrëmbye në rrugë në vitin 2016 dhe u fut në pjesën e pasme të një furgoni.

Ajo u mbajt e lidhur dhe e mbyllur për dy ditë në automjetin që ishte parkuar në një rrugë të qetë, para se të zbulohej nga një kalimtar dhe të lirohej.

I dyshuari kryesor në gjyqin, i cili po mbahet në Nisë, është Giuseppe Serena, ish-menaxheri i La Reserve i cili dyshohet se kishte një inat të tërbuar kundër znj. Veyrac pasi ajo i mbylli kontratën  në 2009.

Serena akuzohet për urdhërimin e rrëmbimit të saj me synimin për të marrë një shpërblim, me të cilin ai shpresonte të hapte një restorant të ri.

Bashkëpunëtorët e tij të dyshuar kanë treguar për  italianin e falimentuar, i cili gjithashtu akuzohet për një përpjekje të mëparshme rrëmbimi ndaj znj. Veyrac në 2013, si organizator të operacionit.

Serena, që ka qenë në paraburgim për mbi katër vjet, mohon akuzat.

Në vitin 2016, dy burra të maskuar u hodhën mbi Veyrac ndërsa ajo ishte gati të hynte në SUV e saj dhe e futën atë në një furgon të vjedhur të drejtuar nga një bashkëpunëtor.

Njëri nga rrëmbyesit e kërcënoi se do ta vriste nëse bënte ndonjë zhurmë. Ajo gjithashtu u detyrua të pinte një qetësues.

Veyrac u përpoq të thërriste për ndihmë dhe të përplaste dyert e furgonit, por arriti vetëm që të lëkundej e t’i jepte sinjal një kalimtari, natën e saj të dytë në robëri.

Ish- ushtari britanik Philip Dutton, 52 vjeç, e ka pranuar përfshirjen në rrëmbim.

Dutton, i cili gjithashtu akuzohet për komplotin e rrëmbimit të vitit 2013, kërkoi një shpërblim prej 5 milion eurosh (6 milion dollarë) për znj. Veyrac, nga të cilat ai synonte të mbante 10 përqind, me 50 përqind të destinuara për shefin Serena dhe pjesën tjetër për bashkëpunëtorët e tjerë, thanë hetuesit.

Midis të pandehurve të tjerë janë ish-paparacët e kthyer në detektivë privat Luc Goursolas, i cili akuzohet për vendosjen e një pajisje gjurmimi në makinën e Veyrac dhe tre anëtarë të dyshuar të bandës nga një lagje e varfër e Nisës të akuzuar për kryerjen e rrëmbimit.

Ishte burri i ndjerë i znj.Veyrac që e ngriti Grand Hotel në Kanë, një nga godinat më madhështore buzë detit.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco