Presidenti Trump nënshkroi paketën financiare 2.3 trilionë dollarë

Presidenti Trump nënshkroi paketën financiare 2.3 trilionë dollarë

16:51, 28/12/2020

Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të dielën një paketë financiare prej 2.3 trilionë dollarësh që përfshin 900 miliardë për lehtësimin e pasojave të koronavirusit dhe 1.4 trilionë për financimin e qeverisë deri në shtatorin e ardhshëm.

Ai e nënshkroi projektligjin ndërsa po afrohej afati për mbylljen e mundshme të qeverisë amerikane. Presidenti Trump e kishte quajtur projektligjin "të turpshëm".

Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati kishin dhënë miratimin e tyre pas shumë muaj negociatash, në të cilat presidenti Trump ishte i përfshirë shumë pak.

Kundërshtimet e tij habitën shumë zyrtarë të përfshirë në këtë proces, të cilët menduan se presidenti do të mbështeste masën e financimit. Pa nënshkrimin e presidentit Trump, një mbyllje e pjesshme e qeverisë do të kishte filluar të martën, ndërsa asistenca e rritur e papunësisë dhe mbrojtjet nga dëbimi për ata që nuk mund të paguajnë qeranë e banesave skaduan të dielën në mëngjes.

"Nënshkrimi i ligjit dypartiak, është një lajm i mirëpritur për katërmbëdhjetë milionë amerikanë që sapo humbën asistencën e papunësisë në fundjavën e Krishtlindjes dhe për miliona të tjerë që përpiqen të mbijetojnë gjatë kësaj krize historike pandemike dhe ekonomike”, tha në një deklaratë të dielën vonë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, e vlerësoi veprimin e presidentit Trump për parandalimin e "një mbylljeje të qeverisë në një kohë kur vendi ynë nuk mund ta kishte përballuar një gjë të tillë".

"Paketa dypalëshe e shpëtimit që Republikanët në Kongres dhe Administrata Trump negociuan me Demokratët do të ofrojë një mjet tjetër shpëtimi për punëtorët në bizneset e vogla të goditura rëndë, do të zgjasë masat lehtësuese për amerikanët e pushuar nga puna, do të investojë miliarda dollarë shtesë në shpërndarjen e vaksinave, do të dërgojë pagesa direkte për familjet amerikane dhe më shume. Projektligji i kompromisit nuk është i përsosur, por do të ofrojë një ndihmë të madhe për amerikanët n; mbarë vendin”, tha zoti McConnell.

Vërejtjet kryesore të presidenti Trump kishin të bënin me pagesat direkte prej 600 dollarësh për amerikanët, që ai i cilësoi të pamjaftueshme, si dhe me fondet për programe të shumta qeveritare si ndihma e huaj dhe kërkimet shkencore.

 

"Si president, unë i kam thënë Kongresit se dua shumë më pak shpenzime të kota dhe më shumë para për amerikanët në formën e çeqeve prej 2 mijë dollarësh për të rriturit dhe 600 dollarë për fëmijët", tha presidenti Trump.

Kërkesa për rritjen e shumës së ndihmave u pa si një kritikë ndaj vetë anëtarëve të Partisë së tij Republikane, të cilët u kishin rezistuar përpjekjeve të demokratëve për të negociuar pagesa më të mëdha.

Kongresi planifikon që të hënën të kthehet në punë, duke ndërprerë pushimin e zakonshëm të Krishtlindjes për të diskutuar rrëzimin e vetos së presidentit Trump ndaj një projektligji prej 740 miliardë dollarësh që autorizon programet e mbrojtjes së vendit. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve e miraton, Senati mund të votojë mbi këtë masë që të martën. Procesi kërkon votat e dy të tretave në të dy dhomat në mënyrë që vetoja presidenciale të rrëzohet.

Presidenti Trump e ka kritikuar ligjin për mbrojtjen në disa aspekte, duke pretenduar pa dhënë shpjegime se ligji ndihmon Kinën, si dhe ka kërkuar heqjen e frazave që lejojnë ndryshimin e emrave të bazave ushtarake që nderojnë udhëheqësit e Konfederatës. Ai gjithashtu ka kërkuar shtimin e një klauzole që e bën më të lehtë paditjen e kompanive të medieve sociale për materiale të publikuara nga përdoruesit e tyre.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti veton e Presidentit Trump “një gjest tronditës shpërfilljeje që dëmton trupat ushtarake të vendit”./ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco