Zvicër: 200 turistë britanikë arratisen natën nga karantina në kampin e skive

Zvicër: 200 turistë britanikë arratisen natën nga karantina në kampin e skive

12:52, 28/12/2020

Qindra turistë britanikë të detyruar të futen në karantinë në kampin zviceran të skive Verbier, u arratisën gjatë natës në vend se të duronin që pushimet e tyre t’u shkonin kot, tha komuna të dielën.

Rreth 200 nga 420 turistët britanikë të bllokuar në stacionin luksoz të skive alpine u larguan në terrin e natës, raportoi gazeta SonntagsZeitung.

Vendpushimet e skive të Zvicrës ishin gati për një vërshim turistësh britanikë që kërkonin dëborën - por një ndalim i fluturimit për shkak të variantit të ri Covid-19 që po shpërndahej në Angli ua ngriu në akull planet.

Vendimi drastik nga qeveria zvicerane gjithashtu përfshiu një karantinë  10-ditore për këdo që mbërriti nga Britania që nga 14 dhjetori, pas zbulimit të  variantit të ri të koronavirusit nga i cili ekspertët kanë frikë se përhapet më shpejt.

Kështu që disa nga turistët britanikë të ngecur në Verbier u larguan menjëherë.

"Shumë prej tyre qëndruan në karantinë për një ditë para se të niseshin pa u vënë re, në errësirë," i tha SZ, Jean-Marc Sandoz, zëdhënësi i komunës Bagnes.

Ai e quajti këtë që ndodhi si "java më e keqe që ka përjetuar komuniteti ynë".

Turistët britanikë zakonisht përbëjnë 21 përqind të klientelës në Verbier dhe shumica fillojnë të vërsulen menjëherë pas Krishtlindjeve.

I votuar si vendpushimi më i mirë i skive në Zvicër për dy vitet e fundit, Verbier e sheh veten si ofrues të  adrenalinës, kënaqësive të thjeshta dhe një mënyre jetese elegante.

“Kur panë se tavat e ushqimit kishin mbetur pa prekur, hotelierët kuptuan se  klientët kishin ikur", tha Sandoz për agjencinë e lajmeve ATS. Ai tha se turistët u larguan duke u ndjerë "pak të zemëruar me Zvicrën" dhe me ndjenjën e të qenurit "të bllokuar".

Fluturimet midis Zvicrës dhe dy vendeve u ndërprenë të hënën, por fluturimet e para për në dalje nga Zyrihu në Britani rifilluan të enjten.

Dy raste të variantit të ri britanik të koronavirusit janë zbuluar në Zvicër dhe një në Lihtenshtajnin fqinj, tha të dielën ministria zvicerane e shëndetësisë. Po ashtu janë zbuluar edhe edhe dy raste të variantit të ri të Afrikës së Jugut të SARS-CoV-2, virusit që shkakton Covid-19.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco