Ndërron jetë spiuni famëkeq Britanik, tradhtoi rreth 600 agjentë

Ndërron jetë spiuni famëkeq Britanik, tradhtoi rreth 600 agjentë

11:46, 28/12/2020

Ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare George Blake, i cili konsiderohet si tradhtari më i vjetër i Britanisë së Madhe. Ish-spiuni anglez pretendonte se kishte spiunuar dhe zbuluar identitetin e 600 agjentëve perëndimorë, disa prej të cilëve kanë humbur edhe jetën.

Ai vdiq në Moskë, ku jetonte që prej arratisjes nga burgu në vitin 1966. Blake u dënua me 42 vite burg në vitin 1961 për zbulimin e sekreteve. Pas arratisjes në kohën kur Anglia kishte fituar Kupën e Botës, Blake arriti në Berlinin Lindor për t’u dorëzuar te sovjetikët.

“Lajmi i hidhur erdhi, legjendari George Blake na la”, tha Sergey Ivanov, zëdhënësi i Agjencitë Rusë të Shërbimeve Inteligjente të Jashtme (dikur KGB).

Blake mbushi 98 vjeç muajin e kaluar, duke u bërë veterani më i vjetër i KGB-së. Ai jetonte së fundmi në një shtëpi fshati pranë Moskës, të cilën e kishte marrë dhuratë nga KGB-ja, në përpjekje për ta ruajtur nga infektimi me koronavirus.

“Mendoj se fjala tradhtar mund të përdoret për të më përshkruar”, citohet të ketë thënë dikur Blake. “Por kisha arsye shumë të forta”. Ai ka treguar më parë se kishte vendosur të dezertonte dhe të ndryshonte anë në Luftën e Ftohtë pasi kishte qenë dëshmitar i një bombardimi civilësh në Korenë e Veriut.

Edhe pse në arrati prej vitit 1966, ai mbajti kontakte me tre djemtë e tij, por as në vitet e fundit të jetës nuk u lejua të rikthehej në Britani për t’i takuar. Në Bashkimin Sovjetik, Blake mori disa dekorata, mes tyre edhe Urdhri i Leninit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco