Gjermania dhe Finlanda sjellin në atdhe, gratë nga kampet e ISIS

Gjermania dhe Finlanda sjellin në atdhe, gratë nga kampet e ISIS

07:33, 21/12/2020

Gjermania dhe Finlanda kanë riatdhesuar pesë gra dhe 18 fëmijë nga kampet siriane që strehojnë anëtarë të familjeve të militantëve të Shtetit Islamik. Ministritë e jashtme të të dy kombeve thanë se gratë dhe fëmijët I kthyen këtë fundjavë për arsye humanitare, njofton BBC.

Tre nga gratë ishin nën hetim për pretendimin se i përkisnin ISIS, thanë mediat gjermane.

Qindra evropianë që u bashkuan me ISIS janë në kampe të drejtuara nga kurdët në Sirinë veriore.

Ata u transferuan atje së bashku me mijëra të tjerë pasi ISIS u shpall i mundur në territoret në Siri dhe Irak në mars 2019.

Shumë prej tyre janë gra dhe fëmijë të luftëtarëve të ISIS ose simpatizantë të grupit xhihadist.

Të shqetësuar për rrezikun e sigurisë që ata paraqesin, disa qeveri evropiane kanë hezituar të riatdhesojnë qytetarët e tyre nga kampe.

Rasti i Shamima Begum, nxënëses britanike e cila u bashkua me ISIS në 2015 dhe më vonë  iu hoq  shtetësia e saj në Britaninë e Madhe për arsye sigurie, është një shembull i dukshëm.

Por grupet e të drejtave të njeriut u kanë kërkuar qeverive që të marrin përsëri qytetarët e tyre, duke argumentuar se lënia e grave dhe fëmijëve në kampe i vë ato në rrezik sëmundjeje dhe radikalizim.

Të dielën Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas tha se ai ishte "shumë i lehtësuar që dje kemi mundur të riatdhesojmë 12 fëmijë dhe tre nëna të tjera nga kampe në Sirinë veri-lindore".

Z. Maas tha se riatdhesimet ishin "raste humanitare, kryesisht jetimë dhe fëmijë që ishin të sëmurë" dhe nevoja e tyre "konsiderohej veçanërisht e nevojshme dhe urgjente".

Ai tha se nuk ishte ligjërisht e mundur që të riatdhesoheshin fëmijët pa nënat e tyre.

Në Finlandë, ministria e jashtme tha se kishte sjellë në shtëpi gjashtë fëmijë dhe dy nëna.

"Sipas kushtetutës, autoritetet publike finlandeze janë të detyruara të mbrojnë të drejtat themelore të fëmijëve finlandezë të internuar në kampe për aq sa kjo është e mundur," tha ajo.

Qeveria finlandeze vlerëson se më shumë se 9,000 gra dhe fëmijë të huaj, dy të tretat e tyre fëmijë, janë ende duke u mbajtur në kampet al-Hol dhe Roj në Sirinë veri-lindore. Prej tyre, rreth 600 fëmijë dhe 300 gra janë shtetas të BE-së.

"Kampet në Sirinë veri-lindore përbëjnë një rrezik afatgjatë të sigurisë," shtoi ministria e jashtme finlandeze.

"Sa më gjatë që fëmijët të qëndrojnë në kampe, pa mbrojtje dhe arsimim, aq më e vështirë do të jetë lufta kundër ekstremizmit radikal."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco