‘Hakerat punojnë për Rusinë’/ Qeveria amrikane konfirmon sulmin kibernetik ndaj agjencive federale

‘Hakerat punojnë për Rusinë’/ Qeveria amrikane konfirmon sulmin kibernetik ndaj agjencive federale

16:56, 17/12/2020

Qeveria amerikane konfirmoi të mërkurën se një fushatë e fundit hakerimi preku rrjetet e saj dhe tha se sulmi ishte "i madh dhe në vazhdim".

Hakerat, të cilët besohet se punojnë për Rusinë kanë monitoruar trafikun e brendshëm të emaileve në departamentet e Thesarit dhe Tregtisë, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters në fillim të kësaj jave, duke cituar disa persona që thanë se druheshin se ajo çka ishte zbuluar deri më tani, mund të ishte vetëm maja e ajsbergut.

"Kjo është një situatë në zhvillim dhe ndërsa vazhdojmë të punojmë për të kuptuar shkallën e plotë të kësaj fushate, ne e dimë që ai ka prekur rrjetet brenda qeverisë federale", thuhej në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga FBI-ja, Agjencia e Sigurisë Kibernetike, Agjencia e Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) dhe Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (ODNI).

Kompania teknologjike SolarWinds, nga nisi sulmi, tha se rreth 18,000 klientë të saj kishin shkarkuar një program të kompromentuar që u mundësoi hakerave të futeshin në sistemet e tyre pa rënë në sy për gati nëntë muaj.

"Gjatë ditëve të kaluara, FBI-ja, CISA dhe ODNI-ja janë në dijeni të një fushate të madhe e të vazhdueshme ndaj sigurisë kibernetike", thuhej në deklaratën e përbashkët.

"FBI-ja po heton e po mbledh informacione në mënyrë që të identifikojë, ndjekë e shkatërrojë aktorët përgjegjës për këtë kërcënim", vazhdonte më tej deklarata. FBI, CISA dhe ODNI kanë formuar një grup të përbashkët mbi sulmet kibernetike, për të koordinuar përgjigjen e qeverisë amerikane.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë mbi Sigurinë Kombëtare Robert O'Brien ndërpreu një udhëtim në Evropë të martën për të trajtuar çështjen e sulmit/ VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco