Serbia mbështet përsëri Rusinë, voton kundër rezolutës së KB për Krimenë

Serbia mbështet përsëri Rusinë, voton kundër rezolutës së KB për Krimenë

13:06, 08/12/2020

Serbia nuk e ka ndryshuar kursin e saj të politikës së jashtme duke mbështetur edhe një herë Rusinë në aneksimin e Krimesë dhe duke votuar kundër rezolutës së KB.

Serbia të hënën ishte midis 17 vendeve që votuan kundër rezolutës së fundit të Kombeve të Bashkuara që i bën thirrje Rusisë të tërheqë forcat e saj nga gadishulli i Krimesë i Ukrainës, të cilin Moska pushtoi dhe më pas aneksoi në 2014.

Armenia, Bjellorusia, Kamboxhia, Kina, Kuba, Koreja e Veriut, Irani, Kirgistani, Laosi, Birmania, Nikaragua, Rusia, Sudani, Siria, Venezuela dhe Zimbabve gjithashtu votuan kundër rezolutës, e cila u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e KB.

Asnjë shtet tjetër Ballkanik nuk u bashkua me Serbinë për të votuar kundër rezolutës, e cila nxiti Rusinë "si fuqi okupuese, plotësisht, pa kushte të tërhiqte forcat e saj ushtarake nga Krimea dhe t'i jepte fund okupimit të saj të përkohshëm të territorit të Ukrainës pa vonesë". Bosnja dhe Hercegovina ishte midis vendeve që abstenuan.

Rezoluta e KB shprehu gjithashtu shqetësim për atë që e quajti "destabilizim i vazhdueshëm i Krimesë për shkak të transferimeve nga Federata Ruse e sistemeve të përparuara të armëve, duke përfshirë avionë dhe raketa të afta bërthamore, armë, municione dhe personel ushtarak në territorin e Ukrainës"

Serbia ka mbështetur vazhdimisht aleatin e saj Rusinë rreth aneksimit të Krimesë në votimet e mëparshme të Asamblesë së Përgjithshme të KB.

Në vitin 2016, Ministri i Jashtëm i atëhershëm i Serbisë, Ivica Daçiç shpjegoi se "do të ishte e vështirë të mbash marrëdhënie kaq të mira me Rusinë në të ardhmen nëse bashkohemi me rezolutën".

Rusia ndërkohë mbështet Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Sidoqoftë, si një vend kandidat për në BE, Serbia është gjithashtu nën presion për të lidhur qëndrimet e saj të politikës së jashtme me bllokun Evropian si pjesë e procesit të saj të pranimit.

Nënkryetari i delegacionit të BE-së në OKB, Silvio Gonzato, vuri në dukje të hënën se vendet kandidate të BE-së Turqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria të gjithë kanë rreshtuar qëndrimin e BE-së se "nuk e njeh dhe nuk do ta njohë aneksimin e paligjshëm" të Krimesë nga Rusia.

Rusia ka dënuar rregullisht deklaratën e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe ka votuar vazhdimisht kundër ofertave të Kosovës për t'u bashkuar me institucionet ndërkombëtare, në përputhje me politikat e Beogradit.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco