Një eurodeputet hungarez, i cili ka bashkëthemeluar partinë Fidesz, e cila njihet për qëndrimet e saj anti-LGBTQI, ka dhënë dorëheqjen pasi u kap duke thyer rregullat e izolimit.
Sipas Daily Mail, Jozsef Szajer mori pjesë në një orgji homoseksualësh në Bruksel. Shumica e 25 personave në orgji ishin meshkuj, raporton gazeta. Ai tentoi që të arratisej nga dritarja kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes. Teksa po rrëshqiste në një tub, ai u plagos.
Kur u kap nga policia, ai tentoi që të mbrohej pas imunitetit diplomatik përpara se të lihej i lirë me një paralajmërim.
Sipas Daily Mail, shumica e meshkujve brenda ishin të zhveshur dhe tentuan që të largohen. Ndërkohë mediat vendase raportojnë se në festë ishin edhe diplomatë të BE të zhveshur, të cilët nuk janë identifikuar.
Organizatori i orgjisë është studenti David Manzheley, 29 vjeç. Ai tha se nuk ka asnjë problem me këtë festë, pasi të gjithë e kishin kaluar koronavirusin.
“Nuk e njihja eurodeputetin. Është një mik i një miku. Në festat e mia gjithmonë ftoj miq, që sjellin miq dhe bëjmë qejf së bashku. Flasim, pijmë dhe ndërkohë bëjmë edhe seks. Nuk e shoh se ku është problemi këtu. Të gjithë jemi të rritur, gjithçka ndodhi me pëlqimin reciprok”, tha ai.
Në çantën e eurodeputetit është gjetur drogë, por ai e ka mohuar një fakt të tillë. Ishte vetë Szajer ai që doli dhe konfirmoi praninë e tij, pasi zërat për përfshirjen e tij filluan të qarkullonin në mediat hungareze. “Unë isha i pranishëm”, pranoi ai, duke nënvizuar se nuk e përdori drogën e gjetur në dhomë.
Deputeti shtoi se i vinte keq që kishte shkelur kufizimet anti-Covid”, para se t’i kërkonte falje kolegëve, votuesve dhe familjes.
Szájer njoftoi pa asnjë paralajmërim dorëheqjen si eurodeputet të dielën. Ai tha në deklaratën e tij të martën se ishte një hap i gabuar dhe personal i tij. Ai shtoi: “Unë kërkoj nga të gjithë të mos e shtrijnë atë në atdheun tim, ose në komunitetin tim politik.”
Szájer është një anëtar i vjetër i Fidesz, i cili ndihmoi në hartimin e Kushtetutës së vendit. Ai shërbeu si kreu i delegacionit Fidesz në Parlamentin Evropian dhe anëtar i komitetit të punëve të jashtme të asamblesë.
Qeveria hungareze ka kundërshtuar të drejtat e LGBTQI javën e kaluar, ku së bashku me Poloninë, shprehën kundërshtim të fortë ndaj një plani të barazisë gjinore për politikën e jashtme të BE-së që kërkon të forcojë të drejtat e grave, vajzave dhe LGBTQI në të gjithë botën duke “sfiduar normat gjinore dhe stereotipet”.
© SYRI.net