Kryeministri kanadez bie pre e komedianëve rusë, mendon se flet me Greta Thunbergun

Kryeministri kanadez bie pre e komedianëve rusë, mendon se flet me Greta Thunbergun

09:23, 25/11/2020

Komedianët e njohur rusë, Vovan dhe Lexus, kanë goditur sërish, këtë herë duke e mashtruar kryeministrin kanadez Justin Trudeau, në një thirrje telefonike në të cilën ai besonte se po fliste me aktivisten për çështjet klimatike, Greta Thunberg.

Vladimir Kuznetsov dhe Alexey Stolyarov, që e quajnë veten Vovan dhe Lexus, kanë publikuar bisedën këtë javë, në të cilën e këshillojnë Trudeaun për politikat botërore dhe i kërkojnë një shans që të takohen me karakteret nga South Park.

Caqe të shkuara të kësaj dyshe kanë qenë liderë të tjerë të shteteve të botës, ndërsa i përfshirë në një pati qenë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili pati uruar kryeministrin ukrainas “Vovan Lexusov”.

 

Gjatë bisedës dhjetëminutëshe me Trudeaun, një person i tretë – që luan rolin e aktivistes adoleshente – i thotë Trudeaut se është e shqetësuar për “rritjen e krizës globale dhe parashikimit për luftë botërore”.

“Po çon në shkatërrim. Është tejet e frikshme”, ka thënë “Greta”, ndërsa Trudeau i përgjigjet: “Po sigurisht”.

Biseda ishte kryer në janar, pak ditë pasi qeveria iraniane goditi një aeroplan ukrainas, duke vrarë 176 persona.

“Ju jeni të rritur, por veproni si fëmijë. Mund të krijojmë një botë ku ka vend për të gjithë. Të bardhë e të zinj. Krishterë e myslimanë. Trump e Putin. Për ty e për mua. Për Boris Johnsonin, për Corbynin. Për Terrancen e Phillipin, që janë të njohur në shtetin tënd”, ka thënë ajo. Dy emrat e fundit i referohen karaktereve kanadeze në “South Park”.

“Kjo është perspektiva e duhur”, përgjigjet kryeministri.

“Thunbergu” po ashtu i kërkon të largohet nga NATO-ja, ndërsa Trudeau në një përgjigje diplomatike i thotë se “edhe unë ëndërroj për një botë ku ushtarët s’janë të nevojshëm, por ende nuk jetojmë në atë botë, fatkeqësisht”.

Greta false më pas akuzon Meghan Markle për “manipulim” të Princit Harry.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco